Kosova sërish pjesërisht e lirë

Harta e Kosovës

Kosova edhe në këtë vit në raportin e Freedom House mbi Liritë në Botë, është renditur në në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Sipas përcaktimit të Freedom House, shtet pjesërisht i lirë, është ai që ka kufizim të respektimit të lirive politike dhe atyre civile.

Një shtet i tillë shpesh vuan nga një ambient i korruptuar, sundim të dobët të ligjit, grindje fetare e etnike dhe një skenë politike ku një parti e vetme dominon me gjithë shkallën e caktuar të pluralizmit.

Vitin e kaluar Kosova ka qenë vend, gjithashtu, pjesërisht i lirë dhe notimet në dy shtyllat kryesore që, sipas Freedom House, përcaktojnë lirinë e një vendi, kanë mbetur identike, nota 5 për të drejtat politike dhe 4 për liritë civile.

Notimet nga 1 deri në 2.5 vlejnë për vendet e lira, nga 3 në 5 vendet pjesërisht të lira dhe nga 5.5 në 7 vendet jo të lira.

Nga vendet e rajonit, bashkë me Kosovën, në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira janë Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia.

Ndërsa, shtete të lira janë konsideruar Serbia, Kroacia e Mali i Zi.

Shtet i lirë, sipas Freedom House, është ai ku ka konkurrencë të hapur politike, një klimë të respektimit të lirive civile, jetë të pavarur civile dhe media të pavarura.

Ndryshe, vendet jo-baltike të ish Bashkimit Sovjetik tani janë në garë me disa nga vendet e Lindjes së Mesme si rajonet më represive politike dhe sociale në botë, ka vlerësuar Freedom House në raportin në të cilin ka vlerësuar të drejtat civile dhe liritë politikë në 195 shtete në botë gjatë vitit 2012.

Kemi gjetur se Euroazia ka performansën më të keqe në botë të indikatorëve të të drejtave politike. Është më keq se në Lindjen e Mesme dhe kjo është një gjë e re”, është shprehur Arch Puddington, nënpresident për hulumtime në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas raportit, “kthimi i grushtit të hekurt në Rusi” ka ndikuar në këtë nuancë për tërë rajonin.

Ndryshe, në raportin mbi gjendjen e Lirisë Globale, të Freedom House, potencohet se shfaqja e lëvizjeve popullore për reformat kanë qenë forcë nxitëse për fitoret e mëdha në Lindjen e Mesme në vitin e kaluar.

Megjithatë, një numër i rajoneve kanë treguar kthim prapa si pasojë e reagimit autoritar ndaj këtyre lëvizjeve.

Gjetjet tona tregojnë një rritje të sofistikuar të autoritarizmit modern”, thotë Puddington.

Ata janë fleksibilë; ata shtrembërojnë dhe abuzojnë me kornizën ligjore; adoptojnë teknikat e propagandës moderne”, ka shtuar ai.

Në veçanti që nga Pranvera Arabe, ata janë nervozë, që ka të bëjë me përndjekjen e intensifikuar nga ana e tyre të lëvizjeve popullore që kërkojnë ndryshime".

Numri i shteteve të përcaktuara si të lira në vitin 2012 ishte 90, që paraqet 46 për qind të 195 shteteve në botë.

Numri i atyre që janë kualifikuar si pjesërisht të lira ishte 58 apo 30 për qind të shteteve të përfshira në anketë.

Ndërkaq, një numër prej 47 shtetesh, apo 24 për qind të vendeve në botë, konsiderohen të jenë jo të lira.

Derisa numri i shteteve që hyjnë në kategorinë e vendeve të lira, është rritur për tre, që nga viti i kaluar, dhe tash është 90, 27 shtete kanë treguar rënie, krahasuar me 16 që kanë treguar përparime të dukshme.

Ky është viti i shtatë radhazi, që raporti i Lirivë në Botë tregon më shumë rënie sesa përparime në botë.

Për më tepër, raporti reflekton të dhënat e ngritjes së një fushate të përndjekjes nga ana e diktatorëve, që në veçanti ka në shënjestër organizatat e shoqërisë civile dhe mediat e pavarura.

Në mesin a atyre që kanë shënuar përparime është Libia, e cila ka avancuar nga shtet jo i lirë në pjesërisht i lirë dhe ka shënuar përparimet më të rëndësishme në historinë 40 vjeçare.

Birmania dhe një numër shtetesh afrikane, si Bregu i Fildishtë, Guinea, Lesoto, Senegali dhe Sierra Leone, gjithashtu kanë shënuar përparime. Por, rënie janë shënuar në Kazakistan, Kenia, Mali, Nigeri, Rusi, Turqi dhe Ukrainë.

Gjetjet e raportit ishin të zymta në veçanti për shtete euroaziatike.

Rusia ka pasur një kthim vendimtar për të keq pas kthimit të Vlladimir Putinit në presidencë.

Duke numëruar rritje të represionit në disa shtete, raporti i kërkon SHBA-së dhe demokracive të tjera që të shfaqin lidership në luftën për liri. Raporti ka kritikuar edhe administratën e Obamës dhe opozitën republikane për hezitim të shfaqjes së këtij lidershipi.

Nga 47 shtete të përcaktuar si jo të lira, nëntë nga to, iu është dhënë notimi prej 7 për, dmth më i ulëti, për të drejtat politike dhe liritë civile. Ato janë: Eritrea, Guinea Ekuatoriale, Koreja Veriore, Arabia Saudite, Somalia, Sudani, Siria, Turkmenistani dhe Uzbekistani. Dy territore: Tibeti dhe Sahara Perëndimore janë renditur si më të këqijat e të këqijave.(a.i.)