Vllahiu: Platforma serbe për konsum të brendshëm

Prishtina...

Platforma e paraqitur e Republikës së Serbisë është për konsum të brendshëm dhe ajo asnjëherë nuk do të paraqitet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ka thënë zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu.

"Agjenda e dialogut është e përcaktuar dhe e harmonizuar me Brukselin dhe në pajtim të plotë të palëve. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe ka kufijtë e njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht. Për çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës nuk do të bisedohet asnjëherë me askënd, e aq më pak me Republikën e Serbisë", tha Vllahiu.

Ai ka bërë këto komente disa orë, pasi që qeveria e Serbisë ka miratuar një rezolutë dhe një dokument tjetër, për të përcaktuar qëndrimet e Serbisë në bisedimet me Kosovën.

Në dokument thuhet se "Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën", dhe bëhet thirrje për autonomi për serbët e veriut.

"Të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. I kemi bërë thirrje Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq që në ditën e zgjedhjes së tij, që të bëjë atë që nuk e kanë bërë paraardhësit e tij; ta pranoj realitetin e krijuar, ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe të punojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura, që aspirojnë anëtarësimin në BE", thuhet në reagimin e Vllahiut.