Papunësia dhe varfëria, sfidë e vitit

Kosovë

Papunësia dhe varfëria, dy nga problemet më të mëdha në Kosovë, do të vazhdojnë ta përcjellin vendin edhe në vitin 2013.

Të dhënat për numrin e të papunëve në Kosovë nga regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosove ishin alarmuese. 44.9 për qind ishte shifra e fundit për papunësinë e dhënë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Kjo shifër e papunësisë ishte kundërshtuar shumë herë edhe nga vetë institucionet e Kosovës, duke thënë se kjo shifër është e pasaktë dhe se shkalla e papunësisë është më e ultë.

Shoqëria civile dhe disa nga ekspertë të çështjeve ekonomike vazhdimisht kishin bërë të ditur se papunësia në Kosovë mund të jetë edhe më e lartë se shifrat e prezantuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2013 bashkërisht me institucionet tjera vendore, do të krijojnë një metodologji të qartë se kush konsiderohet i papunë.

Papunësia në Kosovë është e madhe dhe është sfidë me të cilën në do të merremi për të krijuar mundësi. Është e vërtetë se ka vende pune, është e vërtetë se metodologjia e trajtimit të papunësisë në Kosovë është e paqartë. Ne si ministri kemi bërë një veprim për të te krijuar metodologjinë e qarët së kush konsiderohet i papunë”.

A konsiderohet i papunë nxënësi që shkon në shkollë dhe është mes moshës 15 - 16 vjeç, a janë të pa punë studentët që studiojnë apo janë punë kërkues. Në aspektin profesional nuk matet papunësia, kaq janë të punësuar, kaq është fuqia punëtore dhe të dilet më një shifër të tillë”, thotë ministri Beqaj.

Në vitin 2012 numri i punëkërkuese të regjistruar në qendrat e punësimit në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka qenë 270 mijë.

Në anën tjetër, papunësia, vitin 2012 ka goditur edhe shumë vende të eurozonës.

Zyra e statistikës e Bashkimit Evropian, Eurostat, kishin njoftuar se papunësia në eurozonë ka arritur në 11.7 për qind në muajin tetor.

Spanja dhe Greqia kanë shkallën të lartë të papunësisë, në të dy vendet kjo shifër është më e madhe se 25 për qind.

Papunësia, po ashtu, ka shënuar rritje në muajin tetor edhe në Bashkimin Evropian me 27 shtete, duke arritur në 10.7 për qind.

Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë se pa zhvillimin ekonomik nuk mund të zbutet papunësia dhe varfëria.

Profesori i ekonomisë Musa Limani thotë se pa zhvillim ekonomik nuk mund të ketë hapje të vende të reja të punës dhe rrjedhimisht zbutje të varfërisë.

Problemi social dhe varfëria në Kosovë çdo herë po rritet dhe kur kësaj ja shtojmë se qeveria ka lënë anash zhvillimin ekonomik, dhe thuajse është një problem sekondar derisa është problem primar jep pak shpresa për zbutje të këtyre problemeve. Me zhvillim ekonomik mund të ketë edhe stabilizim politik dhe do të zbutet problemi social i varfërisë dhe papunësisë”, thotë profesor Limani për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, në vit në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 35 mijë të rinj, ndërkaq ky treg absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Duke pasur parash këtë numër, sipas vlerësimeve të profesor Limanit, prioritet i Kosovës duhet të jetë adresimi i varfërisë dhe papunësisë.

Zvogëlimi i prodhimtarisë, rritja e papunësisë, ngritja e varfërisë, problemeve sociale. Të gjitha parametrat makroekonomik dhe të standardit jetësor kanë shenja negative që duhet të jetë një shenjë alarmuese për qeverinë, dhe që kjo e fundit t’i kthehet zhvillimit ekonomik të hartojë strategjinë, konceptin dhe vizionin e zhvillimit ekonomik”, thotë ai.