Protestat në Maqedoni vazhdojnë nga e mërkura

Your browser doesn’t support HTML5

Protestat e opozitës në Maqedoni

Disa mijëra qytetarë të shtunën protestuan në kryeqendrën e Maqedonisë, kundër, siç u shprehën, qeverisë jodemokratike të udhëhequr nga VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski. Protestuesit u ndalën para selisë së partisë së tij duke brohoritur “Poshtë qeveria”, “Shkelës të demokracisë” etj.

Lideri i opozitës maqedonase, Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, në fund të tubimit tha se “opozita do të vazhdojë me protesta edhe pas Vitit të Ri”, për çdo ditë pune, duke filluar nga e mërkura do të protestohet në të gjitha qytetet e Maqedonisë.

“Thonë: ‘Kudo që të jesh, para dhe pas Kërshëndellave, të jesh në shtëpi’. Nga e mërkura do të kemi protesta të përditshme në të gjitha qytetet në Maqedoni, si dhe një Parlament të hapur ku qytetarët do të mund t’i shprehin të gjitha problemet e tyre, hallet, me të cilat përditë ballafaqohen”, u shpreh Cërvenkovski, i cili udhëheq me frontin e partive maqedonase në opozitë.

Cërvenkovski para protestuesve tha se kryeministri Nikolla Gruevski ka atakuar demokracinë me mënyrën aspak demokratike gjatë miratimit të buxhetit të shtetit.

“Kjo Qeveri nuk mundet të marrë frymë, e ku më të qeverisë pa marrë kredi dhe pa larë para. Ndërsa, Nikolla Gruevski me kontrabandë dhe me dhunë, e miratoi buxhetin, pa ligj, duke përzënë gazetarët jashtë sallës së Kuvendit. Mjaft më me përmendore bronzi, mermeri dhe fasada baroku”, deklaroi Cërvenkovski..

Tubimi i së shtunës ku merrnin pjesë disa parti maqedonase në opozitë, ka kaluar pa ndonjë incident, ndërkohë që mbetën të bllokuara për disa orë akset rrugore që çojnë kah kryeqendra.