Viti 2012: Rritje e papunësisë së të rinjve

Ilustrim

Kriza globale në mënyrë disproporcionale e ka goditur gjeneratën e re të punëtorëve, që po ballafaqohet me joaktivitet në rritje, me punë të pasigurt, me punë që paguhet shumë pak, e të tjera.

Duket se ky trend po e shkatërron perspektivën e të rinjëve në mbarë botën dhe ekonominë globale.

Me gjasë, kjo mund ta përgatisë terrenin për trazira sociale.

Akmal Dildorbek, 23 vjeçar nga qyteti Dushanbe i Taxhikistanit, ka diplomuar në universitet para dy vitesh. Megjithatë, ai mbetet i papunësuar, sikur edhe të tjerët që kanë diplomuar me të.

Dildorbek i tha Radios Evropa e Lirë se e vetmja perspektivë për të është që të largohet nga prindërit dhe t’i bashkohet turmës së të papunëve në Azinë Qendrore, që synojnë punë në Rusi, që paguhet dobët.

Jam i papunë dhe rri në shtëpi. Jam i shkolluar për programues kompjuteri dhe kam konkurruar për punë në secilin vend, që kërkojnë programues të kompjuterit. Kam konkurruar në banka, kompani dhe firma private. Do të vazhdoj të kërkoj punë dhe nëse nuk gjej asgjë, do të shkoj në Moskë për t’u bërë punëtor migrant”, thotë Akmal Dildorbek, i cili është njëri nga të rinjtë, që gjithnjë e më tepër po e humbin shpresën në të ardhmen në ekonominë globale, e cila ende duhet të dalë nga kriza financiare.

Ka gjithnjë e më shumë vërejtje se “gjenerata e humbur” e punëtorëve të rinj ballafaqohet me përzierje ekspozive potenenciale të joaktivitetit dhe punës së pasigurt në botën e industrializuar.

Po ashtu ata ballafaqohen edhe me varfëri punëtore në vendet në zhvillim, që do të thotë se njerëzit janë të punësuar por nuk fitojnë mjaft para, për t’u ngritur mbi linjën e varfërisë.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Punë (ILO) të Kombeve të Bashkuara, më se 75 milionë të rinj të moshës 15 – 24 vjeçare, tash janë pa punë. Kjo paraqet rritje për katër milionë në krahasim me vitin 2007, kur filloi kriza globale financiare.

Vështirësitë me të cilat ballafaqohen të rinjtë, reflektohen me gjendjen e dobët të tregjeve të punës.

Por, Mathieu Cognac, specialist i ILO-s për papunësinë e të rinjve në Bangkok të Tajlandës, thotë se të rinjtë kanë mbetur pa kujdes, pasi papunësia tek ata është tri herë më e madhe se te të rriturit.

Njerëzit e rinj janë ata që vuajnë më tepër se të tjerët nga diskriminimi. Në kohën e rritjes ekonomike ata zakonisht janë të fundit apo në mesin e të fundit që angazhohen. Poashtu, në kohën e krizës, ata janë të parët që shkarkohen”, thotë Mathieu Cognac.

Në Bashkimin Evropian, njëri prej pesë të rinjve nën 25 vjeç, që është i gatshëm të punojë, nuk mund të gjej punë, derisa më tepër njerëz të rinj po detyrohen të nënshkruajnë kontrata me gjysmë orari ose të angazhohen në ekonomi joformale.

Aktualisht, papunësia është veçanërisht e theksuar në Spanjë dhe Greqi, ku gjysma e të diplomuarve në shkolla të larta dhe kolegje, megjithëqë janë të gatshëm të punojnë, nuk mund të gjejnë punë.

Perspektiva e tregut të punësimit, po ashtu, mbetet e zymtë në pjesë të rajonit Azi-Paqësor, ku ndodhet popullata e re më e madhe në botë. Në Tajvan dhe Filipine, vetëm një prej 6 të rinjve është i punësuar, ndërsa ky raport në Indonezi është një me pesë.

Situatë e vështirë është edhe në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, ku mesatarisht një prej katër të rinjve është i punësuar.

Nga ana tjetër, të rinjtë ballafaqohen edhe me pagesa të ulëta, nëse ia dalin të gjejnë punë. Kjo paraqet kategorinë e varfërisë punëtore.

Specialist Mathieu Cognac, thotë se kjo dukuri vazhdon të jetë sfida kryesore me të cilën po ballafaqohen vendet në zhvillim.

Fokusi kryesor në Evropë është krijimi i vendeve të punës, pasi nuk ka mjaft punë. Fokusi kryesor në vendet në zhvillim të Azisë është po ashtu krijimi i vendeve të punës, por është realisht fokus në cilësinë e këtyre vendeve të punës, pasi ka mungesë të mbrojtjes sociale dhe rrjete sociale të sigurisë. Njerëzit e rinj, thjeshtë, nuk kanë opsion tjetër pos të punojnë në kushte të varfërisë punëtore”, thotë Cognac.

Çdo vit 40 milionë të rinj janë të aftë për punë. Duke e pasur parasysh këtë shifër, ekspertët e tregut të punës dhe shefa të kompanive, thonë se bota është e ulur në një bombë ekonomike dhe sociale.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) thotë se papunësia afatgjatë shoqërohet nga “rreziku i lartë për varfëri, shëndet të dobët dhe dështim shkollor për fëmijët e punëtorëve të prekur”.

Zgjerimi i nivelit të zemërimit dhe mosbesimit në mesin e të rinjve potencialisht mund të shkaktoj trazira sociale.

Kështu ndodhi në valën e protestave të Pranverës Arabe, vitin e kaluar, që u përhap në gjithë Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme.(f.b.)