Kreditë e këqija shënojnë rritje

Ilustrim

Kreditë joperformuese në Kosovë vlerësohen të kenë shënuar rritje në Kosovë gjatë këtij viti. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se raporti i kredive të këqija ndaj kredive në qershor të vitit 2012 u rrit në normën 6.5 për qind nga 5.9 për qind sa ishte në qershor të vitit 2011.

Banka Qendrore e Kosovës vlerëson se pavarësisht rritjes së kredive të këqija, rreziku kreditor në sistemin bankar të Kosovës vazhdon të jetë i ulët.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismajl Kastrati, tregon rrjedhën e kredive të këqija.

“Zakonisht, në kriza, gjendja e bizneseve keqësohet dhe nuk mund të punojnë në mënyrë rentabile, andaj edhe shanset për të kthyer kreditë janë më të vogla. Kamatat janë të larta dhe atë fitim që ndërmarrjet e sigurojnë nga biznesi, i marrin kamatat”, thotë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht rritjes, norma e kredive jo performuese në sektorin bankar të Kosovës cilësohet të mbetet në nivelin më të ulët në rajon. Kamatat e larta, sipas Ismajl Kastratit, kanë bërë që bankat të jenë më të siguruara dhe të mos rrezikohen shumë nga kreditë joperformuese.

“Kreditë e këqija e keqësojnë gjendjen e bankave, por që bankat janë të siguruara, pasi që kanë norma të larta të interesit në kredi dhe kanë siguruar veten me fitime të mira. Të gjitha bankat komerciale kanë realizuar fitime të mira në këtë kohë. Krahasuar me vendet e rajonit kreditë e këqija në Kosovë janë më të voglat”, thekson Kastrati.



BQK-ja ka vlerësuar se rritja e kredive të këqija është kryesisht pasojë e ngadalësimit të normës së rritjes së kredive dhe jo si pasojë e ndonjë përshpejtimi të theksuar të rritjes së kredive joperformuese, vlera e të cilave ka shënuar trend të rritjes të ngjashëm me vitet e kaluara.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, rritjen e kredive të këqija e vlerëson si pasojë e asaj se bizneset kanë filluar të kenë probleme me rrjedhën e parasë së gatshme.

Arian Zeka

“Bizneset kanë filluar të përballen me rrjedhën e parasë së gatshme dhe si rezultat i kësaj, mandej është e pamundur të kryhen obligimet e tyre ndaj institucioneve bankare dhe bizneseve mes vete. Dhe, kjo çështja e pagesave brenda bizneseve, ka qenë mjaft problematike, por këtë vit ka shënuar përkeqësim”, thotë Zeka.

Performaca jo e mirë e një biznesi ndikon në aftësinë paguese të kredimarrësve, duke reflektuar kështu negativisht në cilësinë e portofolit kreditor të sistemit bankar, thekson Zeka.

“Natyrisht, kjo shton edhe më tej rrezikun e bankave dhe i rëndon kriteret për kredidhënie, gjë që do të pësojnë bizneset në të ardhmen. Me rritjen e rrezikut rriten normat e kredive”, sqaron Zeka.