Maqedoni: Buxheti 2013 "qëron hesapet" në Kuvend

Ilustrim

Polemika, tensione, madje deri te tentimi për qërim fizik të hesapeve - kjo është atmosfera që tashmë disa ditë po mbretëron në Kuvendin e Maqedonisë, lidhur me projekt-buxhetin për vitin 2013.

Ky projekt-buxhet rrezikon të mos miratohet këtë vit, nëse deri në fund nuk tejkalohen mosmarrëveshjet rreth kërkesës së opozitës për shkurtimin e mbi 200 milionë eurove, të cilat, sipas opozitës, pushteti planifikon t’i shpenzojë në projekte promovuese jofitimprurëse.

“LSDM-ja vepron nga pozita e ultimatumeve - ose të pranohen kërkesat e saj, ose nuk do të kalojnë amendamentet - me çka do të pamundësohet miratimi i buxhetit. Ky është një veprim destruktiv”.

“Kërkesat e tyre për shkurtimin e miliona eurove, janë të papranueshme, pasi kjo do të vinte në pikëpyetje realizimin e programit për investime në shëndetësi, për ndërtimin e shumë objekteve, pastaj mospagesën e detyrimeve për ngrohje qendrore, energjinë e kështu me radhë”,
ka deklaruar ministri i Financave, Zoran Stavreski.

Por, nga Lidhja Social-demokrate përgjigjen duke thënë se ministri Stavreski ka probleme, pasi nuk mund të gjejë arsyetimet para qytetarëve për projektimet e dëmshme të buxhetit.

Për bllokimin, opozita ka parashtruar mbi 1 mijë amendamente.

Zoran Jovanovski

“Ai me të vërtetë ka probleme se si t’u sqarojë qytetarëve të Maqedonisë se në kohë krize qeveria për vitin e ardhshëm ka paraparë për 20 për qind më shumë para për udhëtime dhe mëditje”.

“Janë paraparë shpenzime të shumta për projekte joproduktive, andaj edhe ne nuk heqim dorë nga propozimi ynë për kursim. Kërkojnë shkurtimin e së paku 200 milionë eurove të parapara për projekte jofitimprurëse”,
është shprehur Zoran Jovanovski, nga Lidhja Social-demokrate.

Ndryshe nga opozita maqedonase, ajo shqiptare zhbllokimin e buxhetit e ka kushtëzuar me kërkesën që një pjesë e konsiderueshme e mjeteve buxhetore t’u dedikohen investimeve në zonat e banuara me shqiptarë, të cilat, sipas deputetit Izet Zeqiri, gjithmonë janë lënë pas dore.

Në këtë kuadër, ai ka paraqitur mbi 400 amendamente, për shqyrtimin e të cilave do të nevojiteshin javë të tëra për t’u debatuara.

“Ne kemi propozuar 400 amendamente, që, pikërisht 20 për qind e 370 milionë eurove për investimet kapitale, që sillen diku prej 80 deri 90 milionë euro, të realizohen në rajonet shqiptare. Këtë e bëmë si reagim ndaj mënyrës së realizimit të projektit të 2012, ku pikërisht në buxhetin e viti 2012 u premtuan mbi 100 milionë euro projekte, por ato nuk u realizuan”, ka thënë Izet Zeqiri, deputet opozitar nga Rilindja Demokratike Kombëtare.

Polemikat rreth buxhetit kanë nxitur edhe reagime e faktorëve tjerë relevantë të Lidhjes së Sindikatave dhe të Organizatës së Punëdhënësve.

“Kuvendi duhet të miratojë ligje, të cilat do të jenë të mira për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pra për të gjitha palët e interesuara, si për afaristët, punëtorët, sindikatat, e kështu me radhë".

"Kuvendi këtyre ditëve është shndërruar në teatër, të cilin partitë e përdorin vetëm për promovimin e tyre dhe asgjë më shumë. Buxheti duhet të miratohet dhe të bëhen shkurtime, nëse ka nevojë, por kjo nuk bëhet kështu. Buxheti duhet të miratohet në mënyrë transparente”,
është shprehur Angell Dimitrov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve.

Ndryshe, buxheti për vitin 2013 është projektuar në rreth 3 miliardë euro. Të ardhurat është paraparë të sillen në rreth 2.7 miliardë euro, ndërsa deficiti buxhetor prej 300 milionë eurosh pritet të mbulohet me marrjen e huasë prej 250 milionë euro nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe me emetimin e obligacioneve afatgjata në tregun vendor.