Sajesa për fundin e botës - fantazi e pastër

Ilustrim

Astrofizikani David Morrison kryeson Qendrën “Carl Sagan” për Studimin e Jetës në Univers, me seli në Kaliforni. Ai po ashtu është shkencëtar në qendrën për kërkim të NASA-s. Morrison, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, hedh poshtë me fakte shkencore çdo ide për fundin e botës më 21 dhjetor, 2012.


RADIO EVROPA E LIRË
Njerëzit, ndoshta qeniet e vetme me arsye, duket se kanë gjithmonë frikë nga ideja e mbarimit të botës. Skenari i fundit i shkatërrimit të botës citon një kalendar të lashtë të Majave si provë se bota do të marrë fund më 21 dhjetor të këtij viti, si pasojë e disa katastrofave. A ka fakte shkencore për këtë?

DAVID MORRISON
Asnjë, fare. Kjo sajesë e fundit të botës është fantazi e pastër.

RADIO EVROPA E LIRË
Teori nga më të çuditshmet kanë vërshuar internetin. Një planet i quajtur Nibiru fshihet diku prapa Diellit, i gatshëm për të goditur Tokën... një ndryshim i papritur në rotacionin e Tokës, disa meteorë, kometa ose asteroide mund të godasin... Cilat janë shanset që të ndodhë diçka e keqe?

DAVID MORRISON
Shanset janë zero që ndonjëra nga këto të ndodhë më 21 dhjetor. Nuk ka asnjë planet të quajtur Nibiru dhe librat e imagjinuar të ekonomistit Zecheria Sitchin për civilizimin në këtë planet, janë trillim.

Gjatë dekadës së kaluar ka pasur disa raporte se një objekt “mashtrues” (Planeti X, ose Nibiru, ose Hercobolus etj.) do të përplaset me Tokën më 21 dhjetor. Këto pretendime nuk janë të vërteta. Nëse do të ekzistonte një kërcënim i tillë, ai do të ishte njëri nga objektet më të ndritura në qiell dhe astronomët do ta ndiqnin për vite me radhë.

Nëse do të ekzistonte, graviteti i tij do të shtrembëronte orbitat e planetëve, sidomos të Marsit dhe të Tokës. Astronomët e dinë se ai nuk ekziston. Nuk ka asnjë rreshtim të përafërt të Tokës dhe të Diellit dhe të qendrës së Galaktikës sonë në fund të dhjetorit, edhe pse kjo ndodh çdo vit. Në çdo rast, radhitja planetare nuk ka efekte në Tokë.

Pra, nuk ka asgjë të çuditshme këtë vit as për polet magnetike, as për shufrat rrotulluese të Tokës.

Polariteti magnetik ndryshon çdo miliona vjet dhe kjo nuk do të ndodhë tani. Do të duhen ndoshta me mijëra vjet. Po ashtu, një ndryshim i papritur në rotacion nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk është e mundur të ndodhë.

Nëse do të kishte ndonjë ndryshim në rrotullimin e Tokës, ai do të vërehej menjëherë me dështimin e sistemeve tona GPS.

RADIO EVROPA E LIRË
Teknologjia aktuale e informacionit dhe mjetet në dispozicion të komunikimit u kanë ofruar njerëzve mjete të mahnitshme të të mësuarit. Si e shpjegoni që njerëzit janë të prirë t’iu besojnë teorive të çuditshme, duke mos marrë parasysh argumentet shkencore?

DAVI MORRISON
Shumë njerëz mendojnë se duhet të besojnë gjithçka që postohet në internet. Ata nuk kanë mësuar se në internet ka aq të pavërteta sa edhe informacione të vërteta.

Derisa njerëzit të mësojnë të dallojnë të vërtetën nga trillimi në internet, do të ketë probleme të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Në filmin hollivudian “2012”, i cili përshkruan kataklizmin me përmasa biblike, qeveritë në mbarë botën mbajnë të painformuar publikun në mënyrë që të sigurojnë mbijetesën e elitave politike dhe ekonomike. Mbështetësit e idesë se bota do të marrë fund më 21 dhjetor thonë se, ashtu si edhe në film, qeveritë janë duke fshehur të vërtetën. Çfarë mund dhe çfarë nuk mund të zbulojnë qeveritë për publikun në një skenar hipotetik të katastrofës?

DAVID MORRISON
Ideja se një qeveri mban sekrete të tilla është budallallëk. Nëse do të ndodhte diçka në Tokë, me qindra mijëra shkencëtarë në mbarë botën do ta dinin. NASA dhe qeveritë nuk kanë monopol mbi informacionin për Tokën dhe Kozmosin.


Përgatiti: Valona Tela