Drejt MSA me rezultate “të prekshme”

Fotografi ilustruese

Zhgënjimi i Prishtinës nga konkluzat e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian duhet të shndërrohet në punë efektive për përmbushjen e kritereve afat-shkurtëra, thonë njohësit e integrimeve në Kosovë.

Ata vlerësojnë se gjatë vitit të ardhshëm mund të realizohen kërkesat e BE-së për t’i hapur rrugë nisjes së negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.

Qeveria e Kosovës është zotuar se në pjesën e parë të vitit 2013 “në afat rekord” do të përmbush kriteret e mbetura që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, trashëgiminë kulturore dhe tregtinë.

Politikat e zgjerimit që hyjnë në kuadër të prioriteteve të presidencës së ardhshme të BE-së, Irlandës, vlerësohet të jenë një hap tjetër shpresëdhënës në këtë drejtim.

Eksperti Shenoll Muharremi, shprehu bindjen se negociatat mund të nisin rreth qershorit të vitit të ardhshëm nëse jetësohen synimet e ekzekutivit të vendit.

Ne presim që komisioni Evropian ta bëjë paraprakisht një vlerësim në mënyrë që ky Këshill të rekomandojë fillimin e datës për negociata të marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Momenti kur Kosova, sipas kësaj agjende, do t’i filloj negociatat me Brukselin për marrëveshjen do të jetë diku rreth qershorit të vitit të ardhshëm”, tha ai.

Në këtë kuadër, Muharremi theksoi rëndësinë për krijimin e mundësive të mira që bizneset kosovare të kenë avantazh në tregun e brendshëm të BE-së.

Ai tha se qeveria duhet të jetë më strategjike dhe të fokusohet në sjelljen e investimeve qindra milionëshe për përkrahjen e bizneseve në mënyrë që ato të përfitojnë nga MSA dhe të kenë qasje në tregun e BE-së.

Që të bëhet një gjë e tillë, qeveria e Kosovës duhet t;u ndihmojë bizneseve drejt rritjes së konkurrentshmërisë së tyre në mënyrë që produktet, ku ne kemi avantazh, të plasohen në treg të BE-së. Në anën tjetër janë çështje teknike-është çështja e aprovimit të disa ligjeve, si për shembull aprovimi i Strategjisë kundër korrupsionit”, u shpreh ai.

Strategjitë dhe legjislacioni që ka për qëllim luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, sipas kryetarit të komisionit parlamentar për Integrime, Lutfi Haziri, duhet të kalojnë nga “zotimet e vendosura në dokumente” në rezultate “të prekshme”.

Sidoqoftë, ai tha se deri më tani, nuk është parë vullneti në qeverinë e Kosovës për ta forcuar sundimin e ligjit dhe për ta eliminuar korrupsionin në administratën publike.

Me vet faktin që Këshilli i Ministrave më 10 dhjetor tha se Kosova duhet të angazhohet në sjelljen e rezultateve të prekshme-sidomos në shtyllën e sundimit të ligjit, kundër krimeve dhe korrupsionit, tregon qartë që ka munguar një përkushtim i madh”.

Natyrisht që reforma e administratës publike është kërkesë, ku duhet të shkaktohet një rezultat i kënaqshëm në mënyrë që administrata e shtetit të mos varet nga politizimi, nepotizmi dhe forma të tjera të keqmenaxhimit që sot janë pjesë e qeverisjes në Kosovë-fatkeqësisht të konstatuara jo mirë”, theksoi Haziri.