Koalicionin PDK – AAK e rrezikon synimi për postin e kryeministrit

Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Partia Demokratike e Kosovës shprehet e gatshme të nisë bisedimet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për përfshirjen e kësaj të fundit në kuadër të koalicionit aktual qeverisës.

Por, përveç gatishmërisë për bisedime, të dyja subjektet kanë dallime esenciale, sidomos në lidhje me postin e kryeministrit, të cilin e synojnë të dyja partitë.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinajt pretendon postin e kryeministrit në koalicionin e ardhshëm eventual, në anën tjetër Partia Demokratike e Hashim Thaçit nuk tregon shenja se është e gatshme të heq dorë nga posti të cilin aktualisht e mbanë lideri i saj.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci thotë se e ka mirëpritur nismën e AAK-së për bashkëpunim e koalicion. Por, Grabovci thotë se Kosova e ka kryeministrin Thaçi, dhe nuk sheh ndonjë arsye pse duhet të preket ky post.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kosova e ka një kryeministër shumë të suksesshëm, shumë të fuqishëm i cili u ka qëndruar dhe u qëndron të gjitha sfidave dhe deri më tani ka dalë i suksesshëm dhe se ne nuk kemi asnjë dyshim që edhe në të ardhmen do të jetë i suksesshëm”, thekson Grabovci.

Nga java e ardhshme, AAK dhe Ramush Haradinaj kanë paralajmëruar mundësinë e nisjes së bisedimeve me PDK-në dhe kryeministrin Hashim Thaçi, për lidhjen e një koalicioni qeverisës.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se oferta e kësaj partie është serioze dhe se ajo i drejtohet vetëm PDK-së dhe ndër tjera ka për qëllim të merr nën drejtim qeverinë e Kosovës, duke besuar se nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt kjo qeveri do të ishte shumë më efikase.

Duke e pas parasysh gjendjen e cila ekziston në Kosovë dhe një degradim të qeverisjes në Kosovë, ne kemi besim që me Haradinajn, duke u bazuar edhe në të kaluarën e cila ka qenë e suksesshme, mund të ndryshohet gjendja. Pa Haradinajn në udhëheqje të qeverisë nuk mund të kemi rol, prandaj kërkojmë që qeverinë ta udhëheqë Haradinaj”, thotë Isufi.

Bisedime me PDK-në, jo edhe me AKR-në

Duke pas parasysh se Kosova ndodhet para një procesi reformash zgjedhore e kushtetuese që mund të marrin kohë, Ahmet Isufi thotë se koalicioni eventual PDK-AAK do të ishte në të mirën e vendit dhe do të lidhej deri në zgjedhjet e ardhshme.

Ai rikujton PDK-në se oferta i drejtohet vetëm asaj dhe jo edhe partive tjera partnere në kuadër të koalicionit aktual, ku bën pjesë edhe Aleanca Kosova e Re, parti kjo politike e drejtuar nga afaristi i njohur Behxhet Pacolli, aktualisht zëvendëskryeministri i parë i Kosovës.

Pasi që partia më e madhe në vend sot udhëheqë me vendin, qeverinë, atëherë bisedimet bëhen me partnerin i cili ka rolin kryesor duke e pasur edhe shumicën e votave në Kuvend”, thekson Isufi.

Një qëndrim tjetër nga AAK-ja dhe Ahmet Isufi shpreh Adem Grabovci i PDK-së, i cili thotë se bisedimet mund të kenë si qëllim zgjerimin e koalicionit aktual dhe jo përjashtimin e partive që aktualisht PDK i ka partnere në kuadër të koalicionit qeverisës.

Koalicioni aktual është funksional, është duke i përmbushur obligimet që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Por, ne nuk e përjashtojmë mundësinë e zgjerimit apo fuqizimit të këtij koalicioni”, thotë Grabovci.

Sidoqoftë mbetet të shihet se si do të rrjedhin negociatat ndemjet kreut të PDK-së Hashim Thaçit dhe atij të AAK-së Ramush Haradinajt.

Ky i fundit, që nga vendimi i Gjykatës së Hagës për lirimin dhe shpalljen e tij të pafajshëm për veprat që e ngarkonin atë më krimet e luftës, ka shprehur haptas pretendime për t’u përfshi në qeverisje, por me synimin që të merr kreun e ekzekutivit, pretendim ky që në asnjë moment deri më tani nuk është përkrahur publikisht nga PDK-ja dhe kryeministri aktual Hashim Thaçi.