Shpërthim në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës

Në veri të Mitrovicës sot është regjistruar një shpërthim, i cili ka shkaktuar dëme të vogla materiale në ndërtesën e një banke.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 10:30, në rrugën “Mbreti Petër”.

Autoritetet e rendit dyshojnë se mjeti shpërthyes mund të ketë qenë granatë dore.

“Policia është duke zhvilluar hetime intensive për të zbuluar shkaqet, motivet dhe rrethanat e këtij akti kriminal, derisa kryesit e mundshëm, deri në këtë moment, mbesin ende të panjohur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Së fundmi, incidente të tilla ka pasur disa në pjesën veriore të Kosovës, ku serbët lokalë refuzojnë shtrirjen e autoritetit të Prishtinës.