Kisha Serbe kundër zbatimit të IBM-it

Beograd

Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe ka kërkuar nga Qeveria në Beograd që të refuzojë zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit me Kosovën, të njohur si IBM.

Në letrën e Kishës, të cilën e transmetojnë mediat serbe, autoriteteve shtetërore u kërkohet “të mos marrin pjesë në vetëvrasjen e vendit”.

“Nga Qeveria dhe Kuvendi i tanishëm i Serbisë pritet që, në vend të pranimit të menaxhimit të integruar të kufirit, të shqyrtohen të gjitha marrëveshjet e qeverisë së kaluar, të cilat nuk janë konfirmuar në Kuvend”, thuhet në letrën e Kishës.

Përveç kryeministrit Ivica Daçiq, letra thuhet se i është dërguar edhe presidentit Tomisllav Nikolliq, zëvendëskryeministrit Aleksander Vuçiq dhe liderëve të opozitës.

Gjatë të takimit të tyre të fundit në Bruksel, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, janë pajtuar që Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit të nisë të zbatohet në katër pika kufitare deri në fund të këtij viti.