Maqedoni: Pastrimi i listave, kusht për zgjedhjet

Foto nga arkivi

Pavarësisht miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, njohësit e rregullativës zgjedhore dhe shoqatat që monitorojnë proceset zgjedhore në vend kanë, u kanë bërë thirrje institucioneve që të punojnë seriozisht në pastrimin e listës zgjedhore, që, sipas tyre, është edhe kushti kryesor për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Ekspertët vlerësojnë se ndryshimet e miratuara katër muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të marsit të vitit të ardhshëm, nuk përfshijnë të gjitha rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it, në veçanti ato që kanë të bëjnë me listën zgjedhore.

Darko Aleksov

“Kjo çështje, përfundimisht, duhet të zgjidhet, pasi në vend që të debatojmë për çështje më thelbësore se çfarë ofrojnë partitë për zgjedhjet lokale, e çfarë për zgjedhjet parlamentare, ne ende bisedojmë se sa kemi votues fiktivë. Kjo çështje vazhdon të diskutohet tash 20 vjet dhe është momenti që kjo problematikë të zgjidhet”, thotë drejtori i asociacionit qytetar “Most”, Darko Aleksov.

Partitë politike, pavarësisht pozicionit të tyre në pozitë apo opozitë, kanë dhënë shifra të ndryshme mbi numrin e votuesve fiktivë, madje, sipas të dhënave të tyre, kjo shifër sillet në rreth 400 mijë, e që shfrytëzohet nga njëri apo grupimi tjetër për manipulimin e zgjedhjeve.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se po bëhet gjithçka e mundur për pastrimin e listës zgjedhore, një problem ky shumëvjeçar në skenën politike në Maqedoni.

Zëvendëskryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, pranon se në listën e përgjithshme zgjedhore në Maqedoni ka mbi 130 mijë persona që ende nuk kanë rregulluar çështjen e dokumenteve të reja biometrike.

“Ka rreth 132 mijë persona që nuk janë të pajisur me dokumente personale, me letërnjoftime dhe pasaporta biometrike dhe mendoj se prej tyre do të dalë edhe numri kontestues, i atyre që kanë humbur të drejtën e shtetësisë, apo ka të vdekur, por që nuk janë paraqitur nga të afërmit e tyre për t’i larguar nga lista zgjedhore. Në këtë numër mund të ketë edhe të atillë që janë larguar nga Maqedonia dhe nuk janë të interesuar të pajisen me dokumente”.

“Prandaj, unë mendoj se tani është koha që ne të dalim me konkluzione dhe besoj që do t'ia arrijmë qëllimit që të themi se në vërtetë kemi pastrim të listës zgjedhore”, deklaron Jakupi.

Pamje nga zgjedhjet e vitit 2011

Nga ana tjetër, Darko Aleksov, nga asociacioni qytetar “Most”, si problem serioz thekson edhe çështjen e zhvendosjes së banorëve brenda vendit, të cilët, ende nuk kanë ndryshuar adresat e tyre të banimit,e që po ashtu paraqet problem serioz.

Edhe Renata Deskoska, njohëse e rregullativës zgjedhore, tërheq vërejtjen nga zhvendosja e qytetarëve nga njëra komunë në tjetrën, gjë që, sipas saj, ndryshon numrin e trupit votues nëpër komuna.

Përveç kësaj, problem paraqet edhe mundësia e ndryshimit të kufijve të zonave elektorale.

Ekziston rreziku që të kemi transferim të dhunshëm apo fiktiv të personave nga njëra në komunën tjetrën dhe me këtë të ndryshohet numri i votuesve për zgjedhjet lokale”, thotë Deskoska.

Shumica parlamentare ditë më parë ka miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që beson se janë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, por këto pretendime janë kundërshtuar nga opozita në veçanti, sa i përket listës zgjedhore dhe përfshirjes së zyrtarëve të kandiduar në fushatën zgjedhore me fonde buxhetore.

Opozita ka dorëzuar në procedurë parlamentare ndryshimet e saj në Kodin Zgjedhor, por ato janë refuzuar nga shumica parlamentare.