Kërkohet Abetarja e përbashkët për nxënësit shqiptarë

Nga promovimi i Abetares së Përbashkët

Festa e shkronjave, filloristët shqiptarë të Maqedonisë këtë vit i gjen të papërfshirë në Abetaren e përbashkët.

Shoqata e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” nga Kumanova, i është drejtuar me shkrim edhe dikasterit të arsimit dhe shkencës me kërkesë që Abetarja e përbashkët të jetë pjesë e plan-programit mësimor edhe për nxënësit shqiptarë të Maqedonisë.

“Më 22 shtator filluam t`u drejtohemi me shkrim të gjitha institucioneve duke filluar që nga Ministria e Arsimit, Byroja për zhvillim, Komisioni Nacional për botimin e teksteve shkollore, Parlamenti, Qeveria dhe komunat me kërkesë që Abetarja e përbahskët të jetë edhe në Maqedoni me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, dhe nga ajo të mësojnë edhe nxënësit shqiptarë të Maqedonisë, ashtu siç punojnë të gjithë shqiptarët me të”, tha Etem Xheladini, kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”.

Xheladini theksoi se “hedhja e topit” nga një institucion në tjetrin mund të ndalohet, me marrjen e iniciativës së të gjitha komunave shqiptare që të mësojnë me abetaren e përbashkët.

“Ministritë kompetente nuk merren me këtë punë, ata heshtin, edhe pse e dinë se ky libër, gjegjësisht Abetarja mbarëkombëtare nuk bie në kundërshtim me asnjë normë që mundëson përdorimin e teksteve shkollore, siç është kjo abetare, e cila është e përpiluar nga ekspertët eminentë. Në vend se të lehtësohet aplikimi i këtij libri, gjenden rrugë institucionale që të pengohet. Arsimi shqip në Maqedoni, thjesht, diskriminohet”, u shpreh Xheladini.

Pavarësisht përpjekjeve tona, ishte e pamundur të vinim kontakt me zëvendësministrin e Arsimit, Safet Neziri, për të na dhënë më shumë detaje lidhur me atë se ku është procesi për aplikimin e Abetares së përbashkët edhe për nxënësit shqiptarë të Maqedonisë.

Ndërkaq, Vebi Xhemaili, ligjërues në Fakultetin e Historisë, theksoi se është e pakuptimtë që përmes problemeve teknike, të pengohet Abetarja e përbashkët që të jetë edhe në duart e nxënësve shqiptarë të Maqedonisë.

Siç u shpreh Xhemaili, përderisa Kongresi i Manastirit 104 vjet më parë mblodhi rilindësit për t`i dhënë shpirt unifikimit të shkronjave, tani politika ditore e pengon këtë.

“Në këtë aspekt vetëm ne shqiptarët e Maqedonisë kemi ngelur të përjashtuar nga aplikimi i Abetares së përbashkët për të gjithë nxënësit shqiptarë kudo që jetojnë në trojet shqiptare. Në këtë aspekt, unë mendoj se këtu kemi faj ne si intelektualë, që s’e ngremë zërin sa duhet si dhe lejojmë që politika ditore ta bllokojë Abetaren që të jetë në duart e nxënësve shqiptarë të Maqedonisë”.

“Janë politikanët shqiptarë që i kanë lejuar ata maqedonas ta pengojnë këtë nismë që këtë vit nxënësit shqiptarë këtu të mos mësojnë me abetaren e njëjtë si bashkë-kohanikët e tyre në Kosovë, Shqipëri e gjetiu”,
tha Xhemaili.

Ndryshe, 22 nëntori në Maqedoni kremtimi i 104-vjetorit të Kongresit të Alfabetit Shqip në Manastir, është festë zyrtare për shqiptarët e Maqedonisë, ndërkohë që me rastin e festës, janë organizuar një varg aktivitetesh nën kujdesin e Qeverisë dhe kryetarëve të komunave që drejtohen nga shqiptarët.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha, tha se përdorimi i gjuhës shqipe garantohet me ligj dhe është pjesë e institucioneve shtetërore të vendit.

“Sot gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoni, ajo përdoret në pushtetin ligjvënës, në pushtetin gjyqësor, në atë lokal dhe në shumë institucione shtetërore ku komunikimi i përditshëm zyrtar në relacionin qytetar - institucion bëhet në gjuhën shqipe”, potencoi Hoxha.

Edhe zëvendëskryeministri i angazhuar për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferi, në prag të festës në Manastir ka organizuar dhe një ceremoni solemne në shenjë të përkujtimit të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit.