Shqyrtohet kërkesa e Salustros në "rastin Kleçka"

Ilustrim

Në Gjykatën Supreme në Prishtinë gjatë ditës do të shqyrtohet kërkesa e prokurorit evropian, Maurizzio Salustro, ndaj lirimit të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limajt, e të tjerëve në rastin “Kleçka” dhe ndaj shpalljes si të papranueshme të deklaratave të dëshmitarit X.

Këto deklarata dhe ditari i dëshmitarit X ishin shpallur të papranueshme nga kolegji i gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë më 21 mars.

Salustro, megjithatë, kishte insistuar në vërtetësinë e dëshmive të dëshmitarit Agim Zogaj, i cili u pat gjetur i vdekur në shtator në Gjermani.

Po në mars të këtij viti, gjashtë të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, ishin shpallur të pafajshëm.

Ndërkaq, në maj ishin shpallur të pafajshëm katër të akuzuarit e tjerë në rastin “Kleçka”: Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi dhe Naser Shala.

Vendimi për pafajësinë e katër të akuzuarve, sipas trupit gjykues, ishte sjellë me arsyetimin se nuk ka pasur dëshmi ta mjaftueshme, të cilat do ta vërtetonin fajësinë e të akuzuarve.

Dhjetë ish-ushtarët e UÇK-së në rastin “Kleçka” akuzoheshin për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës.