Al-Alawi: Ka elemente ekstremiste në mesin e shqiptarëve në Kosovë

Elemente radikale vehabiste po depërtojnë në Kosovë dhe ato mund ta prishin harmoninë ndërfetare që ka ekzistuar me vite atje, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Irfan Al-Alawi, drejtor ndërkombëtar i Qendrës për Pluralizëm Islamik dhe drejtor i Fondacionit për Kërkime të Trashëgimisë Islamike.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Al-Alawi, në një publikim të fundit, keni theksuar rrezikun nga lëshimi i rrënjëve të ekstremistëve islamikë në Kosovë. A mund ta elaboroni rrezikun që shihni?

IRFAN AL-ALAWI
Duhet të kujtojmë se ekzistojnë elemente ekstremiste të përfshira te shqiptarët e Kosovës, të cilët krenohen për të qenit myslimanë të moderuar, sufi, sunitë.

Por, për disa vite kemi parë qeverinë saudite, ose jozyrtarët të kenë dërguar para në mënyrë indirekte në qeveri ose tek individët, për hapjen e xhamive vehabiste salafiste për të promovuar ideologjinë ekstremiste, që është mjaft e rrezikshme për Ballkanin dhe besoj se nëse myslimanët nuk janë të vetëdijshëm për këtë, gradualisht ne do të kemi klerikë ekstremistë, që do të mbijnë (lulëzojnë) në Kosovë, që do të fillojnë ta përdorin sheriatin islamik dhe të abuzojnë me të. Kështu nuk do të promovohet paqja dhe harmonia, siç kishte këtu diversitet fetar dhe pluralizëm, por do të nënkuptojë se islami duhet të jetë si fe zyrtare, dhe të mos respektohen fetë tjera në vend.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni thënë se myslimanët e Kosovës janë të njohur për respektin që kanë për njerëzit që besojnë në fe të tjera. Cilët janë faktorët potencialë, që mund ta prishin këtë tolerancë?

IRFAN AL-ALAWI
Nëse paratë, ose jotoleranca vehabiste saudite injorohet. Mendoj se ajo që do ndodhë është se myslimanët që respektojnë traditën e vjetër myslimane, lehtë mund të çorientohen dhe të rrëmbehen nga ky lloj islami, që nuk pranon krishterimin, hebraizmin, apo ndonjë religjion tjetër. Prandaj do të nxisin urrejtje mes feve dhe do të promovojnë të tilla çështje se si gratë duhet të kenë perçe apo ta mbulojnë fytyrën, që është zbatim i vehabizmit islamik, dhe nuk buron nga sheriati islamik sepse sheriati mund të zbatohet vetëm në shtetet islamike.

Madje vetë Mbretëria Saudite nuk është shtet islamik, por zbaton praktikën e mbulimit të fytyrës së grave. Nëse kjo injorohet në shtete të caktuara si në Kosovë, rreziku është se situatën do ta marrin në duar njerëz të gabuar dhe do të kemi klerikë radikalë ekstremistë, që do të marrin kontrollin ndaj shkollave dhe institucioneve fetare dhe do të mund të paraqesin kërcënim për jomyslimanët.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se ky problem po injorohet?

IRFAN AL-ALAWI
Nuk është shumë çështje injorimi. Mendoj se qeveria duhet të jetë e kujdesshme. Myftinjtë, apo klerikët janë atje dhe duhet të jenë në dijeni për këtë, dhe edhe pse ndoshta nuk duan të flasin në këtë faze. Disa nga ta mund të frikësohen apo të ndikohen nga petrodollarët, që vijnë nga Arabia Saudite.

Mendoj se është një çështje që nuk duhet të injorohet, duhet të vëzhgohet me shumë kujdes, para se të bëhet shumë vonë. Sepse, kur njëherë të fillojnë t’i derdhin paratë, arabët sauditë do të sjellin dijetarët e tyre, do të emërojnë imamët në xhami, siç ka qenë dhe është rregull e Arabisë Saudite. Nëse ndërtojnë ndonjë xhami, kudo, ata preferojnë t’i kenë imamët e vet, ose të paktën imamët që ndjekin shkollën e tyre të mendimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Al Alawi, ju keni shprehur shqetësimin se forma tradicionale e islamit në Kosovë mund të devijojë si pasojë e një “propagande” të caktuar. Në këtë kuadër e keni përmendur një televizion në Kosovë, Peace TV, që transmeton predikime islamike. Pse duhet të kenë kujdes nga ai kosovarët?

IRFAN AL-ALAWI
Mendoj se Peace TV është një kërcënim i caktuar për myslimanët e zakonshëm sunitë, sepse njerëzit si Zakir Naik (themelues i Peace TV, v.j.) janë të njohur për nxitjen e urrejtjes ndaj feve të tjera. Ai sigurisht se nuk është debatues i fesë, siç ka qenë i ashtuquajturi mësuesi i tij, Ahmed Deedat. Ky person qartazi i ofendon fetë e tjera dhe ai është një vehabist salafist, që ka ndjekur shkollën në Arabinë Saudite. Ai mendon se fetë tjera nuk duhet të lejohen të ushtrohen lirshëm, beson, se femrat duhet ta mbulojnë plotësisht fytyrën e tyre, se ato nuk duhet të punojnë...

Ky kanal është diçka që nuk do të duhej quhej Peace Tv, sepse nuk besoj se ai beson në paqe. Kur ofendoni fetë tjera nuk ka më aty paqe. Duhet të ketë diversitet dhe respekt. Një pjesë e fondeve për këtë kanal vijnë nga zyrtarët dhe jozyrtarët sauditë, prandaj nëse propagandon anën negative të islamit, ata njerëz që nuk janë myslimanë në Kosovë, do ta shohin se islami është një kërcënim për ta, e që nuk është.

Megjithatë, ata njerëz që e shikojnë, e të cilët janë myslimanë, kanë lindur myslimanë, ata do të fillojnë të ndryshojnë mendimin, se ajo që Peace TV dhe Zakir Naik transmetojnë, është mënyra korrekte e islamit. Dhe të jem i sinqertë, Zakir Naik nuk është dijetar islamik edhe pse pretendon se është i tillë. Ai me profesion është mjek. Prandaj, ai duhet të mbërthehet për profesionin e vet dhe jo të dalë jashtë tij dhe të nisë predikimin e islamit për myslimanët dhe jomyslimanët.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili mendoni se është qëllimi kryesor i njerëzve të tillë si Zakir Naik?

IRFAN AL-ALAWI
Ai dëshiron të propagandojë islamin, por sipas besimeve të tij, të besimeve vehabiste salafiste, që janë kërcënim si për botën myslimane ashtu edhe atë jomyslimane. Ai nxit urrejtje ndaj myslimanëve të moderuar sufi, që besojnë në vendet e shenjta, dhe në Kosovë ka sufi, traditë që daton nga koha e profetit Muhamed.

Zakir Naik nxit urrejtje kundër sufive, ai shkurajon njerëzit që të kenë vende të shenjta dhe nëse ai nuk inkurajon vizitat në vendet e shenjta, si do të lejojë ai që njerëzit të kenë kisha, ose sinagoga ose çkado tjetër që i takon besimeve tjera. Kjo është një çështje për të cilën mendoj se kosovarët duhet të kenë kujdes, si myslimanët ashtu edhe jomyslimanët.

Islami nuk është një fe që është përhapur me shpatë, islami është përhapur me dashuri. Zakir Naik po e përhap punën e tij misionare duke nxitur urrejte përmes fjalëve dhe madje me fjalët e tij nxitëse, ai mund t’i ndalojë edhe ata që duan të bëhen myslimanë, duke i shtyrë të thonë se ‘ky nuk është një religjion për mua’.

RADIO EVROPA E LIRË
“Arabët, agjentët iranianë dhe fundamentalistët turq kanë bërë përpjekje për një invadim të dukshëm në komunitetin mysliman të Kosovës”- është ky një tjetër citim nga publikimi juaj. Keni thënë se mundësia e devijimit të komunitetit mysliman të Kosovës, meriton vështrim hetues dhe përkushtim ndaj besimtarëve të moderuar. Kush mendoni se është përgjegjës për të mbikëqyrur këtë?

IRFAN AL-ALAWI
Mendoj, se pikë së pari liderët e komunitetit, duhet të jenë përgjegjës. Mendoj se kosovarët dhe shtetet përreth duhet të mbështesin myftinjtë, klerikët që janë përgjegjës për komunitetin mysliman. Natyrisht se atje ka myftinj dhe këta njerëz, duhet të edukohen në nivele të caktuara për të kuptuar se çka po ndodh brenda dhe përreth Kosovës, duhet ta kuptojnë se atje ka elemente ekstremiste, sepse elementet ekstremiste shumë shpejtë mund të infiltrohen nga çdo vend në botë dhe Kosova nuk është shtet i madh.

Megjithatë, rreziku është se kushdo që është mysliman, mund ta hapë një xhami, pa e testuar apo monitoruar për të kuptuar se çka po predikojnë, mund të jenë këto shkolla myslimane, mund të jenë institute myslimane dhe kjo është një nga gjërat, që i frikësohemi .. ky është rrezik jo vetëm për Kosovën por edhe (për vendet) përreth në atë pjesë të botës. Megjithatë, mendoj se (është e rrezikshme)nëse qeveria nuk është e kujdesshme të monitorojë dhe të kuptojë, se cilët dijetarë i ka në vend, cilët dijetarë vijnë nga jashtë.

Për shembull, Zakir Naik është ndaluar të hyjë në Britaninë e Madhe thjesht sepse nxit urrejtje, imami i Xhamisë së Madhe në Mekë e ka të ndaluar të hyjë në SHBA dhe në Britaninë e Madhe sepse nxit urrejtje përmes predikimeve në xhami. Prandaj mendoj se Kosova, qeveria duhet ta kuptojë se kurdo që një dijetar apo klerik mysliman e viziton vendin, qoftë si vizitues ose si ligjërues, ai duhet të kontrollohet ku ka studiuar, ku është arsimuar dhe çfarë lloj islami po e predikon te myslimanët dhe jomyslimanët. Duhet ta kuptojmë këtë pjesë të botës, e cila do të duhej të ishte porta e artë për shkollën e mendimit hanefi, një portë e hekurt. Natyrisht, me vite, porta është rrëzuar dhe i ka hapur rrugë radikalëve islamikë, që kanë nisur të depërtojnë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIZRË
Çfarë rreziku paraqet për botën sot, ajo që e keni quajtur si një “rilindje islamike”?

IRFAN AL-ALAWI
Mendoj se duhet ta bëjmë të qartë se islami është një religjion i paqes, ne nuk nxisim urrejtje, ne nuk kryjmë vrasje për nder apo të përhapim fjalën përmes shpatës. Megjithatë, ka disa elemente ekstremiste në disa pjesë të islamit. Por, ekstremizëm kemi në secilën fe, ju keni të tillë në fenë hebraike, dhe të të tjerat.

Megjithatë, duhet të themi dhe ta bëjmë të qartë se derisa ka elemente ekstremiste në islam, apo mediat perëndimore kapen pas tyre, apo sulmojnë islamin, duhet të theksojmë se bëhet fjalë për vehabizmin islamik, ose xhematin teblig, ose islamin deobandi (lëvizje rilindëse në islamin sunit), që natyrisht janë degë të islamit të Arabisë Saudite.

Duhet të kuptojmë se ky lloj islami është lëvizje misionare dhe ka për qëllim kryerjen e punës misionare, siç bën Kryqi i Kuq në disa pjesë të Afrikës duke ndërtuar kisha, duke ofruar ushqim.

Gjëra të tilla bëjnë edhe këto degë të islamit. Por, ne duhet ta bëjmë të qartë dhe të lehtëkuptueshme për jomyslimanët se kërcënimi nuk është islami, kërcënimi është vehabizmi, salafizmi i fuqishëm, xhemati teblig ose islami deobandi. Duhet të jemi shumë të qartë për këtë.