Maqedoni: Qëndrime të kundërta për projekt-buxhetin e vitit 2013

Ilustrim

Qeveria ka dorëzuar projekt-buxhetin për miratim në Kuvendin e Maqedonisë, i cili pritet të jetë rreth 3 miliardë euro.

Të ardhurat është paraparë të sillen në rreth 2.7 miliardë euro ndërsa deficiti buxhetor prej 300 milionë euro pritet të mbulohet me marrjen e huasë prej 250 milionë euro nga jashtë dhe me emetimin e obligacioneve afatgjata në tregun vendor.

Ministri i Financave, Zoran Stavreski, thotë se pjesa më e madhe e buxhetit i dedikohet investimeve kapitale

Ekonomia e Maqedonisë në bazë të projektimeve makroekonomike gjatë vitit të ardhshëm pritet të arrijë një rritje ekonomike prej 2 për qind që është më e lartë se rritja në eurozonë dhe më e ulët se potenciali ekonomik i vendit, por i gjithë projektimi është bërë duke marrë për bazë krizën ekonomikë botërore”, shprehet ministri Stavreski.

Nga buxheti më së shumti fonde janë paraparë për ndihmat sociale dhe pensionet të cilat edhe pritet të rriten vitin e ardhshëm me 5 për qind.

Fondet për investimet kapitale janë rritur për 10 për qind dhe kryesisht i dedikohen shëndetësisë dhe arsimit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme do të ndahet edhe për korridorin 10 dhe projekte tjera të infrastrukturës.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë, thonë se në buxhet janë paraparë fonde edhe për projektet e tyre në lidhje me zhvillimin e zonave të banuara me shqiptarë.

Projektet të cilat kanë qenë dhe do të jenë prioritet për BDI-në do të realizohen vitin e ardhshëm ndërsa ka edhe projekte tjera nga programi i qeverisë për që kanë lidhje direkte me vendbanimet ku jetojnë shqiptarët”, u shpreh ministri i Ekonomisë Valon Saraçini, duke veçuar me këtë rritjen e fondeve për USHT-në, ndërtimin dhe rikonstruksionin e shumë qendrave kulturore, ndërtimin e rrugës nga Likova në drejtim të vendkalimit kufitar me Kosovën në afërsi të Gjilanit, ndërtimin e disa rrugëve tjera me rëndësi të veçantë si dhe fonde për zonat e lira ekonomike.

Por, ndryshe nga drejtuesit e qeverisë, partitë në opozitë janë pesimiste nëse me projekt-buxhetin do të ketë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët e Maqedonisë.

Me këtë buxhet, qeveria porositë të gjithë në Republikën e Maqedonisë se në vitin 2013 nuk do të ketë asnjë ndryshim thelbësor në drejtim të përmirësimit të ekonomisë, ndërsa standardi i qytetarëve do të vazhdojë edhe më tej të ulët”, ka deklaruar nënkryetari i LSDM-së, Zora Jovanovski.

Kjo parti kishte kërkuar nga qeveria që në buxhetin e vitit të ardhshëm të planifikojë nga një faturë prej 2 mijë denarësh, apo rreth 30 euro për çdo familje që nuk ka asnjë të punësuar, që të mund të përballojë kërkesat më elementare për jetesë, por, një kërkesë e tillë nuk është parashikuar nga ana e qeverisë.

Ndërsa sa i përket parashikimeve për rritjen ekonomike prej 2 për qind, nga LSDM-ja, thonë se një projektim i tillë është si rezultat e argumenteve të opozitës se nuk duhet të pretendohet rritje më e lartë që të mos përsëritet viti i tanishëm për të cilin qeveria kishte paraparë rritje prej 4.5 për qind e në fakt do të përfundojë me zero për qind.

Në prononcimin e parë lidhur me projekt buxhetin, Lidhja e Odave Ekonomike, ka reaguar lidhur me anashkalimin e kërkesës së saj për formimin e një fondi garantues për qytetarët. Lidhja e Odave ka mirëpritur rritjen e fondeve për investimet kapitale, por ka kërkuar që së pari të realizohen investimet e parapara me buxhetin e këtij viti.