Nju Jorku dhe Nju Xhërsi - fatkeqësi të mëdha

Your browser doesn’t support HTML5

Uragani Sandy shkakton përmbytje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shpallur Nju Jorkun dhe Nju Xhërsin “zona të fatkeqësisë së madhe”, pas stuhisë që ka goditur bregun lindor të SHBA-së.

Të paktën 28 njerëz janë raportuar të vdekur, si pasojë e erërave të fuqishme dhe vërshimeve të mëdha që ka shkaktuar uragani Sandy.

Stuhia është zvogëluar në ciklon, pasi ka goditur Atlantik Sitin, Nju Jorkun dhe Nju Xhërsin, mbrëmjen e së hënës.

Afro 6 milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike, raportojnë mediat në Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Nju Xhërsi kanë lëshuar alarm në një central bërthamor, duke thënë se rritja e nivelit të përmbytjeve mund të bëjë që centrali të shfrytëzojë furnizimet emergjente me ujë për të ftohur shufrat e uraniumit.

Stuhia, me erëra prej 140 kilometrash në orë, ka zbarkuar rreth orës 19:00, sipas kohës lokale. Ajo ka përmbytur stacione metrosh dhe tunele nëntokësore.

Të paktën një spital i Nju Jorkut ka evakuuar pacientët e tij, pasi rryma me gjenerator ka dështuar. Në Lagjen Kuins, janë djegur 50 shtëpi.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që jetojnë në zona të ulëta, të evakuohen para se stuhia të godiste.

“Nëse jeni në shtëpitë tuaja apo në vende të tjera të sigurta, qëndroni aty. Koha për zhvendosje apo evakuim ka kaluar. Kushtet jashtë janë të rrezikshme”, ka thënë kryetari i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, pasi stuhia ka arritur kulmin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Masaçusets, Konektikut, Rod Ajllënd, Nju Jork, Nju Xhërsi dhe Pensilvani.

Autoritetet policore kanë bërë të ditur se në pjesën veriore të Nju Xhërsit është thyer një digë, duke përmbytur tre qytete të vogla.

Stuhia e pazakonshme ka nxitur shumë banorë të dalin jashtë dhe të incizojnë pamje, por Guvernatori i Nju Xhërsit, Chris Christie, u ka bërë atyre thirrje që të qëndrojnë në vende të sigurta.

“Secili duhet të pyesë veten nëse dalja jashtë është e nevojshme. Nëse keni dyshime, ju lutem qëndroni në shtëpi”, ka apeluar Christie.

Qeveria federale dhe tregu i aksioneve në SHBA do të mbeten të mbyllura edhe gjatë ditës së sotme. E mbyllur do të jetë edhe selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Mijëra fluturime brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara janë anuluar, ashtu si edhe shërbimet hekurudhore. Raportet e disa mediave thonë se mund të duhen deri në katër ditë për të pastruar tunelet e metrosë në Nju Jork.

Sandy ka ndërprerë fushatën vetëm një javë para zgjedhjeve presidenciale.

Edhe presidenti Obama, edhe kandidati republikan, Mitt Romney, kanë anuluar ngjarjet si pasojë e stuhisë.

Gjatë javës së kaluar, Sandy ka vrarë dhjetëra njerëz në rajonin e Karaibeve.(v.t.)