Shkup: Ngrihet aktakuza për vrasjen e pesëfishtë

Protesta në Shkup kundër fajësimit të shqiptarëve për vrasjen e pesëfishtë - foto arkivi.

Prokuroria Publike e Maqedonisë ka ngritur aktakuzën kundër gjashtë personave, në lidhje me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Aktakuza ngarkon gjashtë shqiptarë nga Shkupi, të cilët akuzohen për “kryerjen e vrasjes së pesëfishtë më 12 prill të këtij viti, në liqenin e Hekuranës, pranë fshatit Smilkovc të Shkupit”, raportojnë mediat në Maqedoni.

Dosja me akuzën e përgatitur i është drejtuar dje në mbrëmje Gjykatës Penale në Shkup, pas gjashtë muajve të hetimeve dhe në ditën e fundit të skadimit të afatit për kryerjen e hetimeve.

Prokuroria ka thënë se pas përfundimit të hetimeve, “ka dëshmi të mjaftueshme dhe të forta që i janë dorëzuar gjykatës përgjegjëse dhe me të cilat do të tregohet se të akuzuarit kanë ndërmarrë veprimet e përfshira në aktin e akuzës”, njofton INA.

Prokuroria ngarkon për vepër terroriste pesë nga gjashtë të akuzuarit, të cilët nëse shpallen fajtorë, paralajmërohet se do të dënohen me burgim të përjetshëm.

Ata janë: Afrim Ismaili, Halil Demiri, që gjenden në arrati, si dhe tre të paraburgosurit: Agim Ismaili, Fejzi Aziri dhe Rami Sejdiu.

I akuzuari i gjashtë, Haki Haziri, akuzohet për dhënien e ndihmës për kryerjen e veprës terroriste.

Para se akuza të jetë e plotfuqishme, pala mbrojtëse ka të drejtën e ankesës.

Rasti i vrasjes së pesëfishtë ka rritur jo pak tensionet ndëretnike në Maqedoni, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka apeluar për një proces korrekt gjyqësor.(v.t.)