Pasuri natyrore mjaft - por pa kapital

Ujëvara e Mirushës, Kosovë

Kosova ka potenciale të mjaftueshme, në bazë të të cilave mund të sigurojë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, por këto resurse kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së aftësive të autoriteteve vendore për t’i promovuar para investitorëve ndërkombëtarë, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Eksperti i ekonomisë, Haki Shatri, thotë se janë të evidentuara resurset natyrore që disponon Kosova dhe në bazë të të cilave mund të sigurohet zhvillimi i ardhshëm ekonomik i vendit.

Shatri përmend disa nga resurset, që, sipas tij, janë atraktive për investitorët potencialë.

“Të ditura janë potencialet energjetike, pra thëngjilli, pasuritë minerale, pastaj është kompleksi ‘Trepça’, që përfshin një rajon deri në 60 kilometra të gjatë, nga veriu i Kosovë deri te skaji i Kamenicës, turizmi, që garanton një segment të zhvillimit të suksesshëm. Pastaj, bujqësia me degët e saj, sepse toka e Kosovës mundëson një punësim të madh të njerëzve të Kosovës, shërbimet, por edhe faktori njeri”, përmend Shatri.

Ish-udhëheqësi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, Mustafë Hasani, thekson se një ndër potencialet kryesore është popullata e re, madje me nivel të lartë të arsimimit e të papunësuar.

Ndërkaq, sa i përket resurseve tjera, ai përmend resurset minerale, industrinë metalike, atë të tekstilit, si dhe sektorin bujqësor.

“Ne jemi në një vend ku konkurrenca është shumë e fortë, dhe të gjithë fqinjët tanë po kujdesen që të bëjnë një klimë investimeve që është më atraktive për investitorët e huaj. Por, secili vend i ka ca prej potencialeve autoktone”.

“Kosova, për momentin, ka një popullsi të re. Është problem diku në vendet e zhvilluara të hapet një fabrikë dhe ku mund të punësohen 500 punëtorë - dhe të gjithë janë të moshës 20 - 25 vjeç e shumica me fakultet. Do të thotë, është një ndër potencialet kryesore që Kosova e ka, e që nuk e ka shfrytëzuar deri më tani”, thekson Hasani.

Por, Haki Shatri konsideron se, sidomos pas vitit 2008, kur edhe u shpall pavarësia, autoritetet kompetente nuk kanë marrë masa të nevojshme për krijimin e kushteve për tërheqjen e investitorëve të huaj.

Ai thotë se me gjithë hapësirat e mjaftueshme për investime, barrierat e shumta në këtë sektor, i kanë bërë investitorët të hezitojnë të investojnë në vend.

“Na duhet kapital plotësues. Ai kapital plotësues vjen nga investitorët e jashtëm, investitorët e jashtëm do të vijnë këtu nëse u krijojmë kushte. Kushtet për investitorët e jashtëm janë shumë të thjeshta dhe të qarta. Në radhë të parë siguria për investitorët, sigurimi i infrastrukturës ekonomike, energjisë cilësore pa ndërprerje, eliminimi i korrupsionit, eliminimi i krimit të organizuar, ekonomisë së hirtë dhe krijimi i kushteve për një konkurrencë të plotë të lirë të tregut”, konsideron Shatri.

Me një angazhim më të madh të autoriteteve kompetente, ekspertët thonë se do të ketë investime të huaja dhe në këtë mënyrë, siç shprehen ata, do të sigurohet prosperitet më i mirë ekonomik.