Majlinda Bregu: Qëndrimi kundër i opozitës - dëmprurës për Shqipërinë

Majlinda Bregu

"Në momentin kur duhet të votoheshin ligje të rëndësishme, reforma madhore për vendin, ju kujtoj rastin e liberalizimit të vizave, ju e mbani mend që kjo çështje lidhej, pa lidhje, në mënyrë të padrejtë me hapjen e kutive. Një qasje që opozita e ndoqi me këmbëngulje por që rezultoi që ishte më shumë dëmprurëse për ta edhe për vendin sigurisht, pasi i prishi imazhin", tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ministrja e Shqipërisë për Integrime Evropiane, Majlinda Bregu.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Ministre, e kujt është përgjegjësia për këtë propozim pozitiv por të kushtëzuar të Komisionit Evropian që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat?

MAJLINDA BREGU
Tre kushtet që Komisioni Evropian ka vendosur ndaj Shqipërisë për të përmbyllur ciklin e marrjes së statusit të vendit kandidat, janë tre kushte, në mendimin tim krejtësisht të qarta si detyrime dhe se kush e ka përgjegjësinë për të penguar këtë proces. Të tri kushtet, si votimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, si votimi i ligjit të nëpunësit civil ashtu dhe votimi i amendamenteve të rishikuara të reformës parlamentare, asaj reforme parlamentare të cilën Partia Socialiste e kërkoi, e përfshiu si pjesë së paketës së nëntorit ( pakti PS –PD për reformat ), ra dakord që nuk do të ndryshohej rregullorja aty ku prekej kushtetuta sepse kjo ishte marrëveshja. Pra të tri këto detyrime janë pjesë e një plani të qartë të votimit pro nga ana e opozitës, sepse janë ligje që kërkojnë 3/5 e votave, përveç rregullores së parlamentit që është me shumicë të thjeshtë.

Janë tre kushte të cilat nuk janë të pakapërcyeshme, që normalisht nuk kishin sepse të testonin edhe një herë vendosmërinë për të vazhduar dialogun politik, për faktin sepse të tre elementët, janë pjesë e diskutimeve për të cilat është rënë dakord më parë. Si ligji i nëpunësit civil si ligji i Gjykatës së Lartë janë ligje që ishin parashikuar në planin e veprimit, duke datuar në muajin mars, kur ne ramë dakord në komisionin parlamentar të integrimit me përfaqësuesit e opozitës për një plan të kërkuar nga ata vetë dhe i përcaktuar me një afat kohor për t’u miratuar, brenda muajit shtator.

Pra nuk ishin çështje të reja të paraqitura surprizë për kolegët e opozitës. Janë çështje që për më tepër fuqizojnë standardet e atyre reformave që janë konsideruar problematike. Administrata publike ka qenë një nga temat që është diskutuar në çdo progres-raport dhe shkëputja e nivelit të politizimit të administratës publike parashikohet dhe garantohet me ligjin e ri të nëpunësit civil, nga ana tjetër edhe ligji i Gjykatës së Lartë, është diskutuar në komisionin parlamentar të ligjeve është konsultuar nga konsulenca e Bashkimit Evropian EURALIUS, ka marrë tërësisht komentet e opozitës në komisione dhe që është një element i shtuar vlere në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Duke pasur parasysh se sistemi i drejtësisë dhe sundimi i ligjit do të jetë një nga çështjet që do të vazhdojë të monitorohet me shumë kujdes për Shqipërinë sikurse po ndodh me vendet e tjera që tashmë kanë hyrë në fazën e negociatave, ju e dini që dy kapitujt e parë që Komisioni Evropian ka vendosur të hapë tashmë për një vend që hyn në fazën e negociatave është kapitulli 23 dhe 24 i Aquis, që kanë të bëjnë pikërisht me çështje të drejtësisë të rendit të sigurisë, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Që do të thotë, do të jenë dy kapituj që do të hapen në fazën e parë të negociatave dhe do të mbyllen vetëm në fund të tyre. Pra për të përmbyllur mendimin, ligji i Gjykatës së Lartë, është një gur më shumë për të përmirësuar sistemin e drejtësisë.

Në këtë analizë asnjë nga këto tre detyrime nuk janë të tilla që të bëjnë që opozita të mendohet të japë ose jo votën, është e kënaqur apo jo me cilësinë e tyre pasi janë tre vendime që përmbyllin atë frymë të bashkëpunimit që u institucionalizua deri diku me marrëveshjen e nëntorit. Të gjitha pretekstet e reja të propozuara, justifikime për të mos i votuar, sikurse është rasti i lidhjes në mënyrë të padrejtë i vendimeve gjyqësore për këshillin e qarkut Fier dhe i votimeve të ligjeve me 3/5 në parlament. Është e njëjta logjikë që opozita e ka përdorur për fat të keq edhe gjatë dy viteve që ky proces për statusin kandidat u bllokua.

Në momentin kur duhet të votoheshin ligje të rëndësishme, reforma madhore për vendin, ju kujtoj rastin e liberalizimit të vizave, ju e mbani mend që kjo çështje lidhej, pa lidhje, në mënyrë të padrejtë me hapjen e kutive. Një qasje që opozita e ndoqi me këmbëngulje por që rezultoi që ishte më shumë dëmprurëse për ta edhe për vendin sigurisht, pasi i prishi imazhin.

RADIO EVROPA E LIRË
Po thoni që qëndrimi kundër i opozitës është i qëllimshëm?

MAJLINDA BREGU
Unë shoh një arsyetim krejtësisht të pabazë për të lidhur tre detyrime për të cilat opozita është shprehur dakord, për të cilat kërkoi vetë të përfshiheshin në paketën e nëntorit, por edhe në planin e veprimit.

Tre detyrimeve për të cilat opozita është e qartë se nuk dëmtojnë dhe nuk rrisin elektorat tek mazhoranca dhe as dëmtojnë frymën e opozitarizmit në Shqipëri, ndaj e shoh si një sebep të opozitës të gjetur së fundmi për të bërë pazaret e radhës, që fatkeqësisht propozohen herë pas here nga kreu i opozitës.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni shprehur se 20 nëntori është afati i fundit për të përmbushur detyrimet e mbetura për statusin? Pse?

MAJLINDA BREGU
Kam përcaktuar datën 20 nëntor jo unë por Komisioni Evropian. Di data të cilat bëhen sipas një kalendari për të miratuar këto tre detyrime. E para Komisioni Evropian deklaroi në ditën kur u shpreh pozitivisht duke rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë se do t’i duhet të përgatisë edhe një raport tjetër në momentin që këto tre detyrime do të jenë plotësuar. Komisioni Evropian e ka bërë publikimin e progres- raportit dhe strategjisë së zgjerimit në tetor nisur edhe nga një llogaritje për t’u dhënë më shumë mundësi dhe kohë vendeve anëtare sikurse është rasti i Gjermanisë, për t’i diskutuar këto procedura dhe të marrin miratimin në parlamentin e tyre.

Pra në komisionin e jashtëm të parlamentit gjerman duhet të shqyrtohet rasti i Shqipërisë dhe t’i jepet OK në mënyrë që ministri i jashtëm gjerman në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në dhjetor të japë mendim pozitiv. Po flasim në rastin e Gjermanisë, por çdo vend duhet të përmbyllë procedurat e brendshme parlamentare. Për t’ju dhënë kohë këtyre vendeve që të mos vonohen me procedurat e tyre, Komisioni Evropian ka prezantuar më shpejt sesa vitet e tjera, dikur progres raporti bëhej në muajin nëntor, pra është propozuar strategjia e zgjerimit në tetor që të ketë mundësi për një dhënie mendimi tjetër pa prishur kalendarin e vendeve anëtare, ta bëjnë këtë përpara se ata të përfshihen në konkluzionet e dhjetorit.

Këto konkluzione mbyllen rreth datës 20 nëntor prej kësaj ky tekst i do të jetë i përgatitur, ku do të thuhet edhe nëse Shqipëria i plotësoi apo jo detyrimet. Në 20 nëntor ne ose i kemi plotësuar tre kushtet dhe Komisioni i propozon Këshillit t’i japë statusin Shqipërinë ose nuk i kemi plotësuar dhe Komisioni duhet tu thotë vendeve anëtare si konkluzion, se tre detyrat që I lashë Shqipërisë nuk u plotësuan. Deri në datë 20 nëntor këto draft konkluzione të përgatitura janë në diskutim, por përmbyllen si paketë e plotë për Këshillin e Ministrave deri në datën 28 nëntor që përkon si shenjë dhe jo rastësisht me ditën që Shqipëria shënon 100 vjet pavarësi. Uroj dhe shpresoj shumë, më vjen keq që ende jam në këtë fazë kur ende shpresoj që me të vërtetë opozita të mos dëmtojë këtë proces i cili në këtë ditë do të mund të kishte dhe në një aspekt kombëtar tone më shumë negativiste në rast se do të bllokonte sërish.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa të vështirë e shihni të arrihet në një konsensus për çështjet e mbetura?

MAJLINDA BREGU
Nuk e shoh të vështirë sepse këtu nuk ka më nevojë për konsensus për gjetje apo kompromise politike. Janë çështje për të cilat është rënë dakord më parë , nuk ka më nevojë për të diskutuar, në mënyrë që të lëshojë njëra apo tjera palë. Për ndryshimin e rregullores se parlamentit ka lëshuar kjo mazhorancë, që në fakt është po ajo rregullore që socialistët e kanë miratuar që në vitin 2003, ne nuk e kemi ndryshuar. Është një rregullore e cila nëse funksionon për një vend nga e kemi marrë, sikurse është Italia apo për vende të tjera të Bashkimit Evropian nuk ka sepse të mos funksionojë për Shqipërinë.

Duke qenë se opozita nuk po dinte se kujt t’ia linte përgjegjësinë e humbjes në zgjedhjet e 2009, pasi nuk gjeti fakte të manipulimit të tyre, nuk gjeti argumente për t’i çuar në prokurori, thanë dhe deklaruan se nuk do të ktheheshin në parlament sepse nuk e njihnin si institucion dhe u kthyen në prag të skadimit të mandateve të deputetëve, bënë grevat e urisë me qëllimin për të hapur kutitë dhe u tërhoqën kur e panë se nuk patën mbështetje, pra në vazhdën e krijimit të një situate rrëmuje apolitike duhej gjetur dhe një argument se pse nuk ishin në parlament deputetet e opozitës ose pse i kushtëzuan marrëdhëniet me parlamentin duke thënë se nuk funksion rregullorja e parlamentit. Nuk ka rregullore që i bën politikanët e të gjitha palëve të gjejnë konsensus të jenë të përgjegjshëm të votojnë në seancë plenare ato ligje që i votojnë në Komisione, këtë nuk ta bën rregullorja këtë ta bën përgjegjësia e mandatit që ke marrë për të përfaqësuar.

Në vazhdën e gjithë këtyre kërkesave dhe ndryshimeve opozita propozoi ndryshimin e rregullores së parlamentit që sot është në tryezë me ato amendamente që kishte propozuar që sic thamë nuk duhet të prekin Kushtetutën. Nuk po i miratojnë sepse vazhdojnë të ngulin këmbë në një çështje që s’ka kuptim, pasi kërkojnë që lideri i opozitës të flasë në kuvend po aq herë sa flet kryeministri i vendit. Kjo nuk është çështje për konsensus, këtu duhen votuar ato për të cilat ne kemi rënë dakord. Ne kemi pranuar propozimet e opozitës për ligjin e Gjykatës së Lartë. Ligji i nëpunësit civil është në diskutim në komisione po merr mendimin e opozitës. Ne pranuam që opozita të fuste në ligjin e Gjykatës së Lartë, Kolegjin që duhet të ishte dhe është një element shtesë, që krijon mundësi për ligjin e Gjykatës Administrative që në janar të fillojë dhe të funksionojë.

Ne pranuam që opozita të ndryshojë rregulloren e parlamentit, pra ne kemi dhënë konsensus dhe jemi dakord për të gjitha çështjet që kanë propozuar, ndaj sot duhet të vijë të votojë ato që ka propozuar dhe të mos i konsiderojë si çështje madhore të konsensusit politik. Kemi zgjidhur çështje më të vështira që I ndajnë forcat politike. Kemi rënë dakord për reformën zgjedhore, kemi rënë dakord në 2008 për të ndryshuar Kushtetutën, kemi hequr imunitetin këtë vit bashkë, këto s’janë çështje aq madhore janë elementë të reformave.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja ministre në dhjetor, në mbledhjen e këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së prisni të merret vendim vetëm për statusin apo edhe hapjen e negociata për anëtarësim?

MAJLINDA BREGU
Jo, në dhjetor presim vetëm një vendim për statusin, për hapjen e negociatave Komisioni e përcaktoi që në 10 Tetor që do të jenë kusht për to zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet si kusht për negociatat u vendosën sepse zgjedhjet e përgjithshme të 2009 nuk ishin sipas standardeve të kërkuara apo…? Çfarë garancish jep qeveria për procesin zgjedhor në 2013?

MAJLINDA BREGU
Detyrimi që ka qeveria të cilës i takon të përgatisë zgjedhjet është për të organizuar dhe mbërritur te zgjedhjet me standardet më të mira. Zgjedhjet e 2009 ishin zgjedhjet me standardet më të mira të kryera në këtë vend, nisur nga dokumentet elektronike, sistemi i numërimit të votës, pra ishin zgjedhje që kishin të gjitha argumentet për të qenë zgjedhjet më të mira. Po, u përbaltën!

Në momentin që përbalten, në momentin që dëgjohet për dy vjet t’i bihet vetëm një kambane të manipulimit të zgjedhjeve atëherë ke krijuar shqetësim edhe tek ata që të monitorojnë. Pavarësisht se janë pa bazë akuzat por zhurma që u bë nuk ishte e vogël. Mbas zgjedhjeve të 2009 siç nuk kishte ndodhur në asnjë vend u bojkotua parlamenti për 6 muaj, pati një grevë urie të deputeteve të opozitës në mes të bulevardit, u organizuar veprime të tjera të dhunshme sikurse ishte 21 janari 2011, pra opozita ndikoi shumë në prishjen e imazhit jo vetëm të zgjedhjeve të 2009 por dhe të klimës politike në Shqipëri në tërësi.

Është shumë mirë që këto zgjedhje të jenë test për hapjen e negociatave por kjo s’do të thotë se ato të 2009 nuk ishin të mira. Po të mos kishin qenë të mira aplikimi i Shqipërisë që u bë në Prill të 2009 nuk do të merrej në shqyrtim në dhjetor të 2009 pra pas 6 muajsh prej zgjedhjeve, kur në parlament ishte vetëm mazhoranca. U mor në shqyrtim nga Këshilli i Ministrave të BE për faktin se ato zgjedhje plotësuan pjesën më të madhe të standardeve, por klima e mosbesimit e përcjellë tek zgjedhjet parlamentare I ka dëmtuar imazhin për zgjedhjet në Shqipëri ndaj janë vendosur si kusht për hapjen e negociatave.