Krasniqi tërheq fjalët – PDK drejt zgjedhjeve

Ilustrim

Seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës kanë nxjerrë në shesh disa çarje tejet serioze përbrenda Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo që drejton me qeverinë dhe ka shumicën në Parlament.

Përplasjet janë evidente sidomos në raportet midis kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi me disa nga deputetët dhe ministrat nga radhët e PDK-së.

Kryetari i Kuvendit, Krasniqi, sot i ka tërhequr fjalët e tij drejtuar ministrave të kabinetit të qeverisë Thaçi.

“Para jush dhe para opinionit, unë e tërheq fjalën e djeshme për ministrat..., pavarësisht se a e ndryshon kjo gjendjen apo jo, unë e tërheq fjalën”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari Krasniqi tërhoqi fjalët pasi që i kishte quajtur ministrat "rrugaçë", pas një polemike të ashpër me ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në lidhje me praninë e njësive Speciale të Policisë në Kuvendin e Kosovës, veprim ky që u dënua nga kryeparlamentari.


Përgatitjet për proces të brendshëm zgjedhor

Duke iu referuar zhvillimeve përbrenda PDK-së të cilat po dalin në sheh përmes debateve në Kuvend, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, si një prej protagonistëve të polemikave më Krasniqin, tha se kjo parti politike është duke përgatitur procesin e brendshëm zgjedhor.

Ai tha se kongresi i partisë do të mbahet në dhjetor dhe deri atëherë organet e partisë do të funksionojnë siç kanë punuar edhe më parë, pa ndonjë ndryshim apo tendencë shkarkimi të kryetarit të Kuvendit, siç ishte paralajmëruar një ditë më herët nëpër media.

Madje, sipas Grabovcit, raportet në PDK janë krejt normale dhe përbrenda rregullave të demokracisë.

“E them me përgjegjësi të plotë se Grupi Parlamentar i PDK-së është unik, ka dëshmuar dhe nuk kemi asnjë krizë, e përsëris për të satën herë".

"Ne nuk kemi përmendur shkarkim e as ngarkim dje për askënd. Ato janë vendime për të cilat duhet të vendos dhe t'i trajtojë partia. Ne si Grup Parlamentar marrim ato vendime, si edhe deri më tash, dhe ashtu do të ndodhë”,
theksoi Grabovci.

Deputeti Grabovci ka pranuar se në seancat e fundit është përdorur edhe fjalori jo parlamentar, por ka shprehur besimin se debatet e tilla nuk do të eskalojnë në bllokadë dhe paralizë të Kuvendit dhe institucioneve.

Ndërkohë, zhvillimet në PDK që megjithatë po reflektohen edhe në punën e institucioneve i ka komentuar sot edhe zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi.

Sipas tij, në PDK nuk ka probleme dhe se kjo parti politike nuk do të jetë për kohë të gjatë subjekt trajtimi në media.

“PDK ka fuqi të mjaftueshme që të tejkalojë çdo mosmarrëveshje dhe atë në mënyrë demokratike dhe institucionale. Ka mendime të ndryshme dhe janë të natyrshme këto çështje. Por, ajo që dua të them është që PDK do të punojë shumë që të mos jetë temë në këtë vend”, deklaroi Kuçi.

Analistët ndërkaq i kanë parë këto polemika përbrenda PDK-së si refleksione që vijnë në prag të zgjedhjeve të brendshme në këtë parti politike, ku për herë të parë është përmendur edhe mundësia e ballafaqimit të figurave politike të PDK-së me kryetarin dhe kryeministrin Hashim Thaçi për lidershipin dhe pozitat e larta në parti.