Perëndimi dhe Irani në lojë të rrezikshme

Iran...

Sanksionet e Perëndimit mbi programin bërthamor të Iranit janë duke çuar Republikën Islamike në një territor të panjohur.

Të çarat në ekonomi janë bërë të qarta nga rënia rekorde e monedhës kombëtare kundrejt dollarit amerikan. Problemi më i madh për Iranin tani është se si të mbrojë rialin nga devalvimi i mëtejshëm.

Një strategji e Iranit është t’iu ofrojë klasave të ndryshme të bizneseve qasje në norma të ndryshme të këmbimit.

Importuesit e ushqimeve dhe ilaçeve mund këmbejnë dollarin me 12,260 rialë, ndërsa importuesit e mallrave bazë, si materialet industriale, me 25,550 rialë.

Por, kjo strategji rrezikon të shkaktojë jostabilitet më të madh në ekonomi, kur bizneset të shtyhen për marrjen e normës më të mirë të këmbimit. Ajo mund të shkaktojë, po ashtu, korrupsion dhe zemërim.

Teherani ka bërë përpjekje të sigurojë qytetarët se ekonomia e tij mund të jetë e vetëqëndrueshme nëse është e nevojshme të jetë. Por, Edward Bell, nga Instituti i Inteligjencës Ekonomike, thotë se argumenti nuk ka kuptim.

“Ka shumë fjalë nga udhëheqësit iranianë për ekonominë rezistuese, e cila nuk ka nevojë të varet nga tregtia me partnerët e jashtëm. Por, në realitet, ky lloj i politikës nuk mund të jetë i qëndrueshëm për kohë të gjatë dhe mund të shkaktojë dëme serioze në jetën e iranianëve të zakonshëm”, thotë Bell.

Nëse Irani do të përballet me regjim të gjatë sanksionesh, problemet mund të mos ndalen brenda kufijve të tij.

Rënia e lirë e rialit tashmë ka dërguar turma iranianësh në vendet fqinje për të këmbyer monedhën e tyre në dollarë dhe euro. Biznesmenët afganë, që tregtojnë rregullisht me Iranin, janë prekur po ashtu, pasi rezervat e tyre në rialë kanë rënë.

Më e rrezikshme për fqinjët e Iranit është mundësia që ekonomia e rënduar e tij të shkaktojë trazira brenda vetë Iranit. Një gjë e tillë mund të ketë efekte të papritura në rajonin tashmë të trazuar.

Arkitektët e sanksioneve nuk e kanë ndërmend t’i ndalojnë ato, derisa Irani t’iu kthehet negociatave për programin e tij bërthamor. Por, edhe Perëndimi mund të përjetojë probleme nëse doza e sanksioneve rritet shumë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të jenë të kujdesshme për të mos rënë me këmbë në baltë, pasi ekonomia globale mbetet mjaft e ndjeshme. Nëse prodhimet e Iranit hiqen plotësisht nga furnizimet globale me naftë, do të ishte e mjaftueshme që Shtetet e Bashkuara të kthehen në recesion dhe të shtohen efektet e kësaj që po përjetojmë në Evropë”, thekson Bell.

Një tjetër rrezik është se presioni mbi iranianët e zakonshëm mund të nisë një lojë faji midis Iranit dhe Perëndimit rreth asaj se kush është përgjegjës për vuajtjet e tyre.

Ghanem Nuseibeh, analist i politikave që mund të shkaktojnë rreziqe, në “Cornerstone Global Associates”, thotë se është vështirë të parashikohet se cila palë do të fitojë.

“Është një lojë për të dy, për Perëndimin dhe regjimin e Iranit. Është e pamundur të thuhet se kush do të fitojë sfidën, është e pamundur të dihet nëse shumica dërrmuese e popullsisë do të jetë pro-perëndimore apo pro-regjimit”, thotë Nuseibeh.

Irani po kalon krizën më të rëndë ekonomike që nga lufta me Irakun. Ai insiston se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, por Perëndimi i druhet armës atomike, andaj edhe ka miratuar sanksionet.(v.t.)