Integrimi i Maqedonisë, peng i kontestit me Greqinë

Ilustrim

Vendimi i Komisionit Evropian për të rekomanduar nisjen e negociatave me Maqedoninë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe paralelisht me këtë të zhvillohet edhe procesi i zgjidhjes së kontestit rreth emrit me Greqinë, madje në fazën më të hershme të negociatave, është vlerësuar si moment i ri në procesin e integrimit të vendit në BE dhe NATO.

Por, njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare janë të ndarë në qëndrime nëse ky rekomandim do të kalojë në samitin e dhjetorit të Këshillit të Ministrave të BE-së.

“Parimisht, kjo iniciativë na gëzon të gjithë neve. Megjithatë, mendoj se vështirë se do të realizohet. Ne nuk duhet të harrojmë se bëhet fjalë për një unionin ku këta hapa koordinohen së bashku me Greqinë. Mendoj se nëse politika greke nuk merr garanci serioze se në një afat sa më të shkurtër mund të zgjidhet çështja e emrit, ata nuk do të lejojnë që në samitin e dhjetorit Maqedonia të fillojë negociatat dhe më pas të zgjidhë çështjen e emrit”, thotë Denko Maleski, ish-ministër i Jashtëm.

Maleski shton se kontesti vështirë se do të zgjidhet sikur edhe Greqia t’i jepte mbështetje rekomandimit të komisionarit Fyle, që krahas negociatave të punohet edhe për arritjen e kompromisit për çështjen e emrit.

“Problemi i zgjidhjes së çështjes së emrit do të jetë shumë i vështirë, pasi flitet për nevojën e organizimit të referendumit në Maqedoni dhe shumë aspekte tjera, kështu që për fat të keq mendoj se zgjidhje vështirë se do të ketë”.

“Pala greke frikësohet se nëse i jepet ky shans qeverisë maqedonase, atëherë ajo mund t’i shmanget obligimit tjetër të zgjidhjes së kontestit, pra është një çështje shumë delikate”, shton Maleski.

Por, nga ana tjetër, Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Euroatlantik thotë se rekomandimi i ri i Komisionit Evropian është dëshmi e qartë se BE-ja është më e vendosur se asnjëherë më parë për zgjidhjen e kontestit rreth emrit.

“Kjo tregon se Bashkimi Evropian tani thuajse direkt është involvuar që Maqedoninë ta mbajë nën kontroll me atë që do të ndikojë edhe në zgjidhjen e çështjes së emrit. Nëse në fazën e parë të dhënies së datës për bisedimet, kemi ndërhyrje të Bashkimit Evropian, atëherë kjo do të thotë se do të rritet presioni mbi Greqinë, por edhe mbi Maqedoninë, sepse edhe BE-ja është lodhur nga kjo situatë e status quo-së ”, deklaron Ramadani.

Ai nuk përjashton mundësinë që kjo çështje të fillojë të zgjidhet në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa nuk beson se kësaj do të mund t’i shmanget qeveria aktuale, e cila shumë herë deri më tani ka gjetur arsyetime nga më të ndryshmet për t'iu shmangur arritjen së kompromisit.

“Tani do t'ju ngushtohet rrethi, respektivisht Maqedonia do të gjendet në një situatë ku nuk do të ketë shumë mundësi tani që t’i ikë zgjidhjes dhe me siguri se në fillim të vitit që vjen, Maqedonia do të detyrohet në një mënyrë që t’i japë fund zgjidhjes apo arritjes së kompromisit”, thekson Ramadani.

Ndryshe, përveç çështjes së emrit raporti i progresit i KE-së për Maqedoninë përfshin edhe fusha tjera. Në të vlerësohet pozitivisht puna e bërë në drejtim të përmbushjes së reformave, por apostrofohen edhe problemet në sferën e raporteve ndëretnike, si çështja e zhdëmtimit të viktimave nga konflikti i vitit 2001, si dhe përballja e institucioneve me papunësinë dhe varfërinë si dy sfida kryesore për institucionet.