Rishfaqen thirrjet për ndalimin e blasfemisë

Pakistan...

Kur presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, ka dalë në podium për t’iu adresuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ai nuk ka humbur kohë për të folur për njërën nga çështjet më përçarëse të ditës.

Para se të marr fjalën time, dua të dënoj fuqishëm aktet e urrejtjes kundër besimit të miliarda myslimanëve në botë dhe Profetit tonë të dashur”, ka thënë Zardari.

Shembulli i fundit i tyre është “Pafajësia e Myslimanëve”, një film i prodhuar në Shtetet e Bashkuara, i cili përshkuan me tallje Profetin Muhamed. Filmi ka shkaktuar zemërim dhe dhunë vdekjeprurëse në mbarë botën myslimane.

Edhe pse nuk mund të justifikojmë kurrë dhunën, komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të bëhet vëzhgues i heshtur, por duhet të ndëshkojë aktet e tilla që shkatërrojnë paqen e botës dhe rrezikojnë sigurinë e botës, duke keqpërdorur lirinë e shprehjes. Pakistani kërkon nga Kombet e Bashkuara që menjëherë ta adresojnë këtë shqetësim alarmant”, ka thënë Zardari.

Në njërën anë të përçarjes kulturore qëndron fjala e lirë, në anën tjetër ndjenja fetare dhe, siç dëshmohet nga pikëpamjet e kundërta të shprehura gjatë Asamblesë së Përgjithshme, ndarja është e madhe.

Përveç dënimit të fyerjes së Islamit dhe dhunës që mund ta pasojë, çfarë mund të bëjnë tjetër shtetet për të parandaluar incidentet e tilla në të ardhmen?

Një ide që ka qarkulluar me vite, ka nisur të rishfaqet sërish: të krijohen rregulla të qarta kundër blasfemisë, të mbrojtura nga ligji ndërkombëtar.

Aktualisht, janë rreth 30 vende në botë që kanë krijuar ligjet e tyre për ndëshkimin e blasfemisë – në mesin e tyre: Pakistani, Irani, Indonezia, Egjipti, Algjeria dhe Polonia.

Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurimit për sigurinë dhe paqen në Lindjen e Mesme, sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil Elaraby, ka thënë se masat e tilla mund të vendosen në mënyrë universale.

Liga e Shteteve Arabe bën thirrje për zhvillimin e një kornize ligjore ndërkombëtare, e cila do të ishte e detyrueshme dhe do të siguronte respektimin e besimit fetar dhe të simboleve të tij”, ka thënë Elaraby.

Shumë kanë provuar dhe kanë dështuar për të krijuar korniza të tilla më parë. Vendet islamike kanë miratuar rezoluta përmes Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Pasi kanë qenë jodetyruese, nismat e tilla nuk kanë pasur dhëmbë të vërtetë.

Një mënyrë për të ndryshuar kursin, është dalja jashtë Kombeve të Bashkuara. Organizata për Bashkëpunim Islamik (OBI), e cila ka 57 shtete anëtare dhe delegacion të përhershëm në OKB, është një opsion.

Grupimi i vendeve me shumicë myslimane ka një histori të zhvillimit të udhëzimeve ligjore, në përputhje me pikëpamjet islamike. Deklarata e Kajros për të Drejtat e Njeriut në Islam, për shembull, është miratuar në vitin 1990. Nëntë vjet më vonë, OBI ka miratuar Konventën për Luftimin e Terrorizmit Ndërkombëtar. Dhe, më 2005, pasi një gazetë daneze ka publikuar karikatura të Profetit Muhamed, OBI ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën i ka dënuar ato.

Në ditët e fundit, Organizata për Bashkëpunim Islamik ka lëshuar disa deklarata në mbështetje të një ndalese ndërkombëtare të blasfemisë. Turqia – presidenti i së cilës ka thënë se do të flasë hapur në mbështetje të ndalesës – është kryesuese e OBI-t.

Madje, edhe disa komente të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, kanë reflektuar ngjashëm.

Liritë e shprehjes duhet të ekzistojnë dhe të garantohen e mbrohen, kur përdoren për drejtësi dhe qëllim të përbashkët. Kur disa njerëz i përdorin këto liri për të provokuar ose fyer vlerat dhe besimet e të tjerëve, atëherë ato nuk mund të mbrohen në mënyrë të tillë”, u ka thënë Ban gazetarëve më 19 shtator.

Rrjedhimisht, duket se ka mbështetje në rritje për një kod të blasfemisë në nivel ndërkombëtar, qoftë edhe jashtë ombrellës së Kombeve të Bashkuara. Por, kjo është shkak i shqetësimit për mbështetësit e lirisë së shprehjes.

Courtney Radsch, menaxhere e Fushatës për Lirinë Globale të Shprehjes, pranë Organizatës Freedom House, thotë se është e rëndësishme të theksohet se pikëpamjet e ndryshme ndërmjet udhëheqësve islamikë dhe Perëndimit rrjedhin nga historia politike e secilit vend.

Në kulturat, në vendet ku ka një qeveri autoritare, ku ka kufizime të lirisë së shprehjes dhe fjalës, ku kritikat e autoriteteve sunduese – qofshin ato politike ose fetare – nuk lejohen, ju shihni qasje të ndryshme ndaj lirisë së shprehjes, satirës dhe asaj që disa njerëz e shohin si qesharake”, thotë Radsch.

Sipas saj, filmi “Pafajësia e Myslimanëve” nuk ka qenë shkak i dhunës, por është përdorur si mjet politik për të nxitur dhunën.

Në këtë mënyrë, thonë mbështetësit e fjalës së lirë, ligjet e blasfemisë nuk janë përgjigje, sepse ato mund të përdoren për të shtypur dhe jo për të mbrojtur pakicat fetare.

Ata kujtojnë rastin e kohëve të fundit në Pakistan, në të cilin një e krishterë 14-vjeçare është akuzuar për “djegie të faqeve të Kuranit”. Rasti i saj është zhvendosur për datën 24 shtator në gjykatën për të mitur, por të rriturit e akuzuar për blasfemi, mund të përballen me dënim me vdekje.

Një përfundim i tillë është i neveritshëm për sistemet e besimit të disa vendeve, si Shtetet e Bashkuara, ku liria e fjalës është e mishëruar në Kushtetutë.

Para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka paraqitur këto argumente për lirinë e shprehjes:

Arma më e fortë kundër fjalës së urrejtjes nuk është represioni, është fjala – zëri i tolerancës që ngrihet kundër fanatizmit dhe blasfemisë dhe ngre vlerat e mirëkuptimit dhe të respektit të ndërsjellë”, ka thënë Obama.

Dhe, kjo është arsyeja përse pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kyçe perëndimore, përpjekja për të ndëshkuar blasfeminë nuk ka gjasa të realizohet globalisht, nën ligjin ndërkombëtar.(v.t.)