Heshtja në rastin Kelmendi

Naser Kelmendi

Ndonëse figuron në listën e të shumë-kërkuarve në Bosnjë, Mal të Zi dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendndodhja e biznesmenit me origjinë kosovare, Naser Kelmendi, nuk u komentua nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.

Gjatë javës që lamë pas, është thënë se Kelmendi ka hyrë në territorin e Kosovës më 10 shtator dhe është parë në disa lokacione, por mekanizmat përgjegjës nuk komentuan këtë çështje.



Kelmendi, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në shumë aktivitete të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ka kohë që është në arrati, ndërsa vazhdon të mohojë akuzat njëra prej të cilave e apostrofon atë si organizator kryesor në tregtinë me drogë në Ballkan.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, Ministrisë e Punëve të Brendshme dhe ata të EULEX-it, vetëm thanë se “janë të vetëdijshëm për rastin”.

Ajo që dihet është se nuk ekziston ndonjë urdhër-arrest ndërkombëtar për Kelmendin, gjë që thuhet se nuk e obligon policinë kosovare për ta arrestuar atë.

Burime të Radios Evropa e Lirë brenda policisë thanë se edhe në rast të lëshimit të fletë-arrestit ndërkombëtar, Kosova nuk do të obligohej me arrestimin e Kelmendit, meqë “Kosova nuk arreston shtetasit e saj”.

Por, është thënë gjithashtu se Kelmendi, qysh vite më parë, kishte hequr dorë nga shtetësia kosovare, ndërsa që nga viti 1998 është qytetar me të drejta të plota i Bosnjë e Hercegovinës.

Kjo e fundit thuhet se po bën gati kërkesën për një “red notice” në Interpol, me të cilën të gjitha mekanizmave të drejtësisë në botë do t’u kërkohej arrestimi i përkohshëm i Kelmendit në pritje të kërkesës për ekstradim.

Po qe se do të ndalohej personi i kërkuar nga Kosova, policia do t’i kishte gjashtë orë në dispozicion për të verifikuar vlefshmërinë e urdhër-arrestit. Nëse se ai urdhër do të ishte i vlefshëm, personi i ndaluar do të arrestohej dhe do të vendosej para gjyqit, ndërsa gjykata do t’ia caktonte deri në 40 ditë paraburgim.

Këto 40 ditë do t’i kishte në dispozicion Ministria e Jashtme apo ajo e Drejtësisë së “shtetit lutës”, për të kërkuar ekstradimin e personit të arrestuar në Kosovë.

Nëse kërkesa zyrtare e shtetit që kërkon ndihmë juridike ndërkombëtare nuk do të paraqitej brenda afatit ligjor para gjykatës, e cila ka shpallur paraburgimin, personi i arrestuar thuhet se do të lëshohej me automatizëm.

Ajo që thuhet se komplikon punët në rastin Kelmendi, është neni 4 i Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale i Republikës së Kosovës, ku theksohet se:

“Shtetasit e Kosovës nuk do të ekstradohen, përveç nëse është paraparë ndryshe me marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe shtetit kërkues, ose me të drejtën ndërkombëtare”.

Ajo që mund të bëjë Bosnja është të kërkojë transferimin e lëndës në Kosovë, gjë që do të “mjaftonte” për ta arrestuar Kelmendin.

Mbetet e paqartë, megjithatë, se a posedon Kelmendi apo jo pasaportë kosovare.

Në “listën e zezë” të presidentit amerikan, Barak Obama, emri Kelmendit radhitet përkrah atij të liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.

I lindur në Pejë në vitin 1958, Naser Kelmendi kërkohet si shtetas i Bosnjë e Hercegovinës.