Kosova me pavarësi të plotë e me shumë probleme të vjetra

Flamuri i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka përshëndetur vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Gjatë një seance solemne, ku kanë marrë pjesë arkitekti i statusit të Kosovës, ish-presidenti finlandez Marti Ahtisari, ndërmjetësuesit ndërkombëtar në procesin e zgjidhjes së statusit, Frenk Visner dhe Vofgand Ishinger si dhe përfaqësues të vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara, u tha se mbikëqyrja ndërkombëtare po merr fund, por jo edhe përkrahja ndërkombëtare për Kosovën.

Pas pesë vitesh që nga lansimi i Planit të tij për statusin e Kosovës në procesin e Vjenës, presidenti Ahtisari tha se sot ka ardhur dita që të festohet për zbatimin e këtij Plani.

Kur e pata propozuar planin, e kam ditur se do të jetë një rrugëtim i vështirë dhe i gjatë”, tha me këtë rast presidenti Ahtisari.

Pesë vjet më parë, ai tha se Plani i tij për statusin e Kosovës shihej si një utopi, kurse sot, ai është një realitet që është zbatuar në interes të popullit të Kosovës dhe aspiratave të tij, duke respektuar pakicat që jetojnë në komunat e reja të krijuara në bazë të këtij plani.

Kurse ambasadori Frenk Visner, i dërguari amerikan në procesin e Vjenës tha se Kosova është një shtet i mrekullueshëm që përmbylli shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Kurse tani, Kosovës, nënvizoi ai, i duhen njohje të reja dhe integrim në strukturat euro-atlantike.

Po ashtu, Visner tha se Kosovës i duhet normalizimi i raporteve me Serbinë. Ndërkaq nga aspektet e zhvillimit të brendshëm ai veçoi sforcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe luftimin e dukurive negative.

Përderisa në emër të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, zëvendëskancelari austriak, Mihael Shpindeleger tha se me përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes, tani fillon faza e rrugëtimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Atifete Jahjaga

Ndërkohë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, tha se kjo është një ditë e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj. Liria, pavarësia dhe demokracia, janë të arriturat e sakrificave të brezave të shumta, tha me këtë rast, presidentja Jahjaga.

Vizioni ynë si popull dhe si vend është Evropa ku bëjmë pjesë si kulturë dhe si civilizim, të jemi pjesë e dinjitetshme dhe e barabartë, synimi i të gjithë neve është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ne si shtet dhe si shoqëri do t’i plotësojmë të gjitha parakushtet, standardet dhe reformat e nevojshme që këtë vizion tonin ta bëjmë sa më shpejtë realitet”, është shprehur Jahjaga.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se pavarësia e plotë e Kosovës dallon nga akti i shpalljes në vitin 2008, pasi që kjo pavarësi është e plotë dhe synon integrimet euroatlantike.

Megjithatë, kryeministri Thaçi tha se zhvillimi i shtetit të Kosovës ende nuk i përmbushë ëndrrat e qytetarëve të saj.

Ndonëse progres i madh është shënuar dhe kemi bërë shumë hapa përpara, Kosova e vitit 2012 nuk është ende Kosova e ëndrrave tona. Nuk është ajo Kosovë që duam t’ua lëmë trashëgimi fëmijëve tanë. Liria dhe pavarësia janë parakushte për zhvillim por ato nuk janë të vetëmjaftueshme. Zotohemi që bashkërisht do të punojmë për t’i realizuar objektivat, qëllimet tona, për t’u anëtarësuar në NATO dhe integruar në BE”, theksoi Thaçi.

Gjatë seancës, përveç anës festive e solemne, nuk kanë mbetur pa u përmendur as temat më të nxehta politike që vazhdojnë të mbeten të tilla edhe pas ditës së sotme, siç është gjendja në veriun e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se heqja e mbikëqyrjes dëshmon pjekurinë e institucioneve të Kosovës. Ndërkaq ka kritikuar qasjen dhe angazhimin e pranisë ndërkombëtare, sidomos në veri të Kosovës, jo vetëm pas shpalljes së pavarësisë, por që nga viti 1999 e këndej.

Ne i përmbushëm obligimet tona sipas Pakos së Ahtisarit, por prezenca ndërkombëtare në Kosovë nuk arriti t’i përmbushë obligimet në veri të vendit. UNMIK për 10 vjet atje toleroi ndërhyrjen e Beogradit dhe krijimin e strukturave kriminale e ilegale të cilat edhe sot i mbajnë peng të drejtat e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Tek ura e Mitrovicës është ngritur dhe mbahet akoma një monument i shëmtuar si simbol i ndarjes e izolimit, simbol i urrejtjes e kërcënimit, i quajtur trishtueshëm barrikadë”, është shprehur Krasniqi.

Në seancë, nuk kanë marrë pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që ka vlerësuar se Kosovës nuk po i hiqet mbikëqyrja, por po i vendoset “sundimi ndërkombëtar”.




Gjatë ditës së sotme, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Vendimi kishte pasuar vlerësimin se Kosova ka zbatuar në mënyrë substanciale Planin e Ahtisarit, i njohur si zgjidhje e statusit të Kosovës dhe rrjedhimisht ka shpallur përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.

Sipas këtij vendimi, Plani i Ahtisarit nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, pasi që tash e tutje Kushtetuta e Republikës së Kosovës përbën bazën e vetme të kornizës juridike në Kosovë.