Shpindeleger: Statusi dhe kufijtë e Kosovës – çështje e mbyllur

Ministri i jashtëm i Austrisë Mihael Shpindeleger

Ministri i jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger, i cili po qëndron në Prishtinë në kuadër të aktiviteteve për mbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, tha se çdo gjë është e qartë sa i përketë statusit të Kosovës.

“Nga perspektive ime, është krejtësisht e qartë: çështja e statusit është mbyllur dhe mbetet e mbyllur”, i tha Shpindeleger agjencisë DPA.

Ai mëtutje theksoi se “gjatë më tepër se katër viteve Kosova ka arritur demokraci stabile dhe multi-etnike, që mund të kontribuoj në stabilitetin rajonal” dhe shtoi se “sot kaptina e rrugës historike të Kosovës kah pavarësia, me të drejtë mbyllet dhe askush nuk duhet të frikësohet për këtë”.

I pyetur për synimet e Serbisë për ta mbajtur kontrollin ndaj pjesës veriore të Kosovës, të banuar me popullatë shumice serbe, ministri i jashtëm i Austrisë, tha se “çdokush që mendon për zgjidhjen e problemeve duke i këmbyer territoret është në rrugë të gabueshme dhe të rrezikshme, pasi kjo do të provokojë reagim zinxhiror në Ballkan, që mund të shkoj larg përtej çështjes së Kosovës” dhe shtoi se “kufijtë në Ballkan janë vendosur”.

Mëtutje, i pyetur nga DPA-ja se përse KFOR-i nuk ishte në gjendje t’i largoj bllokadat serbe në pjesën veriore, ministri Mihael Shpindeleger, theksoi se “normalizimi i qëndrueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe në Kosovën Veriore nuk është i arritshëm vetëm me mjete ushtarake” dhe konstatoi se përfundimisht “duhet të ketë zgjidhje politike të mbështetur nga të dy palët dhe popullata”.