Riker: Po nis një kapitull i ri

Filip Riker

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker, tha se me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, nuk i jepet fund interesimit të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, por se me të shtohet përqendrimi ndaj vendit.

Pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin, Hashim Thaçi, diplomati amerikan rikujtoi se Kosova duhet të punojë në realizimin e reformave të nevojshme për krijimin e një shteti të fuqishëm.

Riker tha se, pavarësisht sfidave të ardhshme, me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, për Kosovën po hapet një kapitull i mundësive të reja.

Në këtë kuadër, ai e quajti “esencial” vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit duke shprehur bindjen se me normalizimin e raporteve ndërmjet palëve do të arrihet integrimi në Bashkimin Evropian.

Dialogu është absolutisht esencial në shekullin XXI. Ai është mënyra për të ecur përpara”, theksoi ai.

Kosova përmbyll mbikëqyrjen ndërkombëtare duke e lënë pjesën veriore të territorit të saj jashtë kontrollit shtetëror.

Mungesa e sundimit të ligjit dhe veprimi i strukturave jolegale serbe që vazhdojnë të refuzojnë kategorikisht shtrirjen e pushtetit kosovar në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë, kanë pamundësuar - përgjatë më shumë se 13 viteve që nga përfundimi i luftës, por edhe pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të 2008-ës, integrimin e veriut.

Bashkësia Ndërkombëtare ka qenë, gjatë muajve të kaluar, më e zëshme në kërkesën e saj që përmes një dialogu politik të zgjidhet problemi i veriut.

Një dialog i tillë, sipas presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, do të zhvillohej ndërmjet banorëve të pjesës veriore dhe institucioneve të vendit.

Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të vazhdojnë të dialogojnë me të gjithë qytetarët e Kosovës në të gjitha komunat, përfshirë këtu edhe tri komunat në veri të vendit të gjejnë dhe të ofrojnë zgjidhje që në harmoni me kushtetutën e vendit t’i realizojnë të gjitha të drejtat dhe liritë duke përfshirë kompetencat e garantuara me pakon e Ahtisaarit”, tha ajo pas takimit me zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit.

Jahjaga shprehi gatishmërinë e autoriteteve kosovare për t’u angazhuar në normalizimin e raporteve me shtetin serb.

Për rëndësinë e ndërtimit të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit-përfshirë Serbinë, foli edhe kreu i ekzekutivit vendor, Hashim Thaçi.

E diskutuam me zotin Riker progresin e arritur në Kosovë...për implementimin e plotë të dokumentit të presidentit Ahtisaari, për involvimin e integrimin e të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës duke ushtruar autoritetin në të gjithë territorin e vendit tonë, për përkushtimin tonë për një fqinjësi të mirë me të gjithë-për një fqinjësi të mirë edhe me Serbinë në angazhimet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore”, tha Thaçi.

Vizita e Rikerit në Prishtinë u realizua para vizitës që diplomati amerikan pritet të zhvillojë në Bruksel ku, siç thuhet, ai do të vazhdojë diskutimet për Kosovën me partnerët evropianë të Shteteve të Bashkuara.