Gjendja hekurudhave (jo) stabile

Ilustrim

Infrastruktura hekurudhore në Kosovë vlerësohet e mirë, krahasuar me vitet e pasluftës, por jo në nivelin e dëshiruar, thonë udhëheqës të hekurudhave të Kosovës.

Sipas tyre, mungesa e mjeteve financiare është arsyeja kryesore e mosriparimit dhe modernizimit të tyre, por megjithatë, shfrytëzohen më një shpejtësi jo të madhe.

Agron Thaçi, drejtor i Hekurudhave të Kosovës, tregon se funksionalizimin e hekurudhave në vitet e fundit e ka penguar edhe ndërtimi i infrastrukturës rrugore brenda territorit të vendit, që jo në pak raste, ka dëmtuar hekurudhat.

Megjithatë, ai shpreson se në vitet e ardhshme do të modernizohen dhe elektrifikohen linjat hekurudhore.

“Pas luftës ka pasur një zhvillim shumë të hovshëm të infrastrukturës rrugore dhe ne në shumë komuna lokacione na është atakuar hekurudha, sepse kemi pasur vendkalime të paligjshme, depërtime të infrastrukturës rrugore, çoftë të magjistraleve rrugore, çoftë rrugëve lokale”.

“Fatkeqësisht, nuk iu kanë drejtuar shpesh herë hekurudhave për të pas një siguri më të madhe në komunikacion. Për të ruajtur kalimtarët dhe veturat, ne kemi qenë të detyruar që të bëjmë një shkurtim të shpejtësisë”, thotë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Aktualisht, vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovës dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë- Shkup- Prishtinë.

Agron Thaçi nga hekurudhat, tregon se interesimi i udhëtarëve nuk mungon, por që shpejtësia e trenave nuk është në nivelin e duhur.

“Realisht, numri është mjaft ambicioz, marrë parasysh se edhe çmimet e biletave janë më të lira se ato të transporteve tjera. Mirëpo, shpejtësinë nuk mund ta zhvillojmë, do të thotë udhëtarët nuk mund të kenë ndonjë arritje më të hershme në kohë më shumë se sa transporti me veturë apo autobus”.

“Kjo për faktin se linjat hekurudhore nuk na lejojnë që të zhvillojmë shpejtësi më të madhe se 70 km në orë. Por, çka është e vërteta, transporti është shumë preciz dhe i sigurt”, thekson Thaçi.

Ekspertë të kësaj fushe e quajnë të mjerueshme gjendjen në infrastrukturën hekurudhore.

Florim Graiçevci, profesor në Universitetin e Prishtinës, e konsideron të domosdoshme riparimin dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor, konkretisht ngritjen e shpejtësisë se qarkullimit të trenave.

“Kosova ka nevojë urgjente, sepse duke marrë pozitën gjeografike të vendit që lidhet më vendet fqinje, vendet fqinje kanë korridoret apo pikat e frekuentimit, apo lëvizjes”.

“Kosova mund të jetë një korridor i transportit të mallrave, por edhe për vete ka nevojë shumë. Kosova praktikisht ka nevojë për ngritjen e shpejtësisë se lëvizjes”, thekson Graiçevci.

Ndryshe, autoritet kompetente në Prishtinë janë duke zhvilluar takime me autoritete në Tiranë, për gjetjen e mundësive për ndërtimin e hekurudhës që lidh Kosovën më Shqipërinë.