Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar letra protestuese përmes postës elektronike në adresë të investitorëve të huajë, kanë thënë të enjten përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Aleancës Kosovare të Biznesit.
Në një takim me gazetarët, të cilat të tri institucionet i mbajnë rrallë bashkërisht, u tha se akterë të ndryshëm nga sfera politika ende vazhdojnë të shohin sektorin privat dhe ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë si një fenomen negativ për vendin.
Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë se kjo sjellje dekurajon dhe largon investitorët, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e jetës ekonomike në Kosovë.
“Ka pasur raporte mediatike dhe dërgim të email-ave në adresë të investitorëve, ku paralajmërohen ata se nëse investojnë në Kosovë, nuk do të kursehen nga asnjë mjet i mundshëm. Kur përdorët fjala, asnjë mjet i mundshëm, kjo aludon në kërcenim”.
“Janë pesë konzorciume ndërkombëtare, të cilat janë të interesuara për investime në Kosovë, për privatizimin e PTK-së. Por, ndaj këtyre investitorëve ka pasur një shantazh dhe kërcënim të hapur. Këto janë email-a që i ka dërguar subjekti politik parlamentar Vetëvendosje”, tha Rukiqi.
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, pranojnë se në kuadër të një aksioni, kanë dërguar email-a me letra protestuese në adresat e kompanive të cilat janë duke marrë pjesë në procesin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe kompanisë së përzgjedhur për privatizimin e distribucionit dhe furnizimit me energji elektrike, KEDS.
Dardan Molliqaj, nga kjo Lëvizje tha për Radion Evropa e Lirë se nuk bëhet fjalë për kërcënime, por për letra protestuese, pasi sipas tij, kompanitë të cilat po marrin pjesë në procesin e privatizimit, nuk po investojnë, por po blejnë ndërmarrjet shoqërore dhe publike
“Akuzat janë të pabaza, sepse ne kemi bërë një letër publike ndaj këtyre kompanive dhe i kemi treguar se si ka shkuar procesi, sa i korruptuar dhe i padrejtë është, dhe qysh kjo e dëmton ekonominë e vendit”.
“Prandaj, është e pandershme dhe e turpshme që Odat që janë servile ndaj institucioneve të Kosovës, e drejtojnë gishtin ndaj aksioneve demokratike dhe shumë të hapura në botë, e nuk e drejtojnë nga institucionet e vendit të cilat e pengojnë zhvillimin ekonomik”, u shpreh Molliqaj.
Edhe Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, theksoi se pengesa më e madhe për investime direkt në vend janë zbatimi i ligjit, korrupsioni, politikat fiskale dhe siguria për investitorët.
“Deklaratat e pabazuara mirë për mosprivatizim të ndërmarrjeve publike, Kosovën e kthejnë prapa, patriotizmi nuk mund të matet më pasurinë e kompanive publike dhe më kërcënime, sepse këto janë pronë e punëtorëve. Sjelljet e tilla e zbehin interesimin dhe zhvlerësojnë procesin e privatizimit, ndërsa Kosovën e radhitin si vend me të zeza për investime”, tha Shahini,
Ndërkaq, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, kërkoi nga autoritet kompetente që të krijojnë kushte më të mira për të bërit biznes dhe rrjedhimisht tërheqjen e investimeve ndërkombëtare.
“Që të krijojnë kushte më të mira për tërheqjen e investimeve të huaja që janë parakusht për zhvillim ekonomik prej tetë për qind. Ndërsa, ne duhet të mblidhemi këtu dhe ndoshta të kritikojmë qasjen e individëve ose grupeve të caktuara të shoqërisë, të cilat në mënyrë shumë të papërgjegjshme frikësojnë edhe ata pak investitorë potencialë të cilët shprehin interesimin e tyre për të investuar në Kosovë”, theksoi Zeka .
Sidoqoftë, organizatat e biznesit në vend edhe njëherë kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj procesit të privatizimit, më arsyetimin se privatizimi i ndërmarrjeve publike dhe shoqërore do të ndikonte në tërheqjen e fondeve dhe investitorëve të huajë.
Megjithatë, duket se nuk është vetëm Lëvizja Vetëvendosje që proteston kundër këtyre proceseve.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, me mbështetjen e 26 organizatave tjera, ka filluar një peticion kundër privatizimit të PTK-së, distribucionit të KEK-ut dhe likuidimit të Trepçës.