Shumë fjalë - asgjë konkrete për dialogun

Fotografi ilustruese

Prishtina dhe Beogradi kanë shprehur, përgjatë muajve të kaluar, gatishmërinë për vazhdimin e dialogut ndërmjet vete, edhe pse mbesin të paqarta shumë detaje lidhur me këtë proces.

Që pas themelimit të qeverisë së re në Serbi, mbi çështjen e dialogut të ndërmjetësuar deri më tani nga Bashkimi Evropian, vërshuan spekulime të ndryshme që kanë të bëjnë me agjendën e ardhshme të tij, formatin dhe temat që do të diskutohen.



Në fazën e ardhshme të tij dialogu Prishtinë-Beograd pritet të kalojë në nivel politik me qëllim zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës, mbi të cilin kontroll të tërësishëm ligjor nuk kanë as autoritetet kosovare e as ato serbe.

Presionit aktual ndërkombëtar ndaj ekzekutivit serb se duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura me Prishtinën për t’u hyrë bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet vendeve iu shtua zëri i zëvendësndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se pavarësisht karakterit të dialogut të ardhshëm dhe nivelit të përfaqësimit të palëve në të, BE-ja duhet të mbetet ndërmjetësuesi kryesor, ndërsa marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.

Nëse nuk zbatohen marrëveshjet që janë arritur, nuk shoh ndonjë mënyrë për vazhdimin konstruktiv të dialogut. Por, duke e pasur parasysh këtë është gjithmonë mirë të flitet-dialogu është gjithmonë një gjë e mirë. Zbatimi i marrëveshjeve ndoshta do të ishte në krye të agjendës së dialogut”, u shpreh Rohan.

Dialogu “teknik” i ndërmjetësuar nga diplomati evropian, Robert Kuper, pat nisur në mars të vitit të kaluar për të rezultuar me shtatë marrëveshje mbi të cilat palët u pajtuan brenda nëntë raundeve të takimeve.

Pa u diskutuar patën mbetur çështja e energjisë dhe ajo e telekomunikacionit. Hulumtuesi në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, tha se këto dy tema kanë karakter më politik dhe ndërlidhen me pjesën veriore të vendit.

Duke folur për natyrën e dialogut të ardhshëm Rashiti tha se mund të vërehet një interesim i shtuar i shefes së diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, për t’u marrë me këtë çështje.

Definitivisht zonja Eshton dëshiron ta ngritë nivelin politik dhe ka marrë përgjegjësi më të mëdha për ta udhëhequr këtë dialog.
Definitivisht zonja Eshton dëshiron ta ngritë nivelin politik dhe ka marrë përgjegjësi më të mëdha për ta udhëhequr këtë dialog. Se si do të ndodhë kjo është ende vështirë të thuhet, por do të rezultojë me një takim më të lartë politik se sa që ka ndodhur deri më tash dhe me gjasë ai do të jetë i ndërmjetësuar nga vet zonja Eshton”, theksoi ai për të shtuar se një moment i rëndësishëm edhe për dialogun Prishtinë-Beograd do të jetë përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës që pritet të bëhet zyrtarisht më 10 shtator.

Rashiti tha se realiteti i ri që do të krijohet pas kësaj datë do ta detyrojë Kosovën që “ta marr fatin e vet në duart e veta” për t’i zgjidhur çështjet e hapura si veriu apo marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa do të shërbejë si sinjal për Brukselin për ta trajtuar Prishtinën më ndryshe në procesin e integrimit.

Arritja e progresit në integrimin evropian mbetet qëllimi kryesor i Serbisë-synim të cilin zyrtarët evropianë e kanë kushtëzuar me përmirësimin e marrëdhënieve me autoritetet kosovare.

Gjatë javëve të kaluara është bërë gjithnjë e më e theksuar nevoja për braktisjen e politikës së deritashme “bllokuese” të shtetit serb ndaj Kosovës.

E vendosur nën presion të shtuar të evropianëve, mbetet megjithatë e paqartë se si do të veprojë qeveria e re serbe e udhëhequr nga kryeministri, Ivica Daçiq, në fazat e ardhshme të dialogut.

Kryetarja e komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, tha se ekzekutivi në Beograd nuk do të përpiqet t’i balancojë: qëllimin për të ecur drejt BE-së, atë për ta përmirësuar gjendjen e saj ekonomike përmes investimeve evropiane dhe qëllimin për të mos hequr dorë nga territori në veri të Kosovës.

Sigurisht se ata do të dëshirojnë ta përcaktojnë veriun e Kosovës si ‘rajon’ –ndoshta diçka e përafërt me Republika Srpskan. Më sa di ata gjithashtu do të përpiqen ta ngadalësojnë integrimin e veriut të Kosovës”, tha ajo.

Kosova po përmbyll mbikëqyrjen e pavarësisë së vendit duke e lënë jashtë kontrollit të saj shtetëror pjesën veriore të Mitrovicës.

Që kur shpalli pavarësinë në shkurt të 2008-ës Kosova është njohur nga 91 shtete, në mesin e të cilave 22 vende të Bashkimit Evropian.

Qiproja, Sllovakia, Greqia, Spanja dhe Rumania kundërshtojnë ta njohin shtetësinë e Kosovës-gjë që thuhet se mund të shkaktojë komplikime në rrugën e avancimit evropian të vendit.