Kërkohet vazhdimi i mandatit të EULEX-it

EULEX

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ia ka dërguar shefes së diplomacisë evropiane Kethrin Eshton, letrën për vazhdimin e mandatit së EULEX-it përtej vitit 2014.

Me këtë hap pritet të qartësohet përfundimisht mënyra e funksionimit të misionit evropian për sundimin e ligjit në kuadër të institucioneve kosovare për periudhën pas qershorit të 2014-s kur këtij misioni zyrtarisht i skadon mandati.

Duke e pajisur me një buxhet prej 111 milionë eurosh për vitin e parë që pas zgjatjes së mandatit në muajin qershor, Këshilli i ministrave i BE-së kishte vendosur që EULEX-i të vazhdojë operacionet në fushën e sundimit të ligjit për dy vite me radhë.

Vet misioni ka kaluar, përgjatë muajve të kaluar, nëpër procesin e ristrukturimit duke e reduktuar stafin nga diku 3000 pjesëtarë sa ishin në fillim të 2008-ës në 2250 sa numërojnë aktualisht.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë se misionarët evropianë të Divizionit ekzekutiv dhe atij të forcimit do të vazhdojnë punën siç kanë bërë, deri më tani, deri në 2014.

Ajo që mund të them është se mandati është deri në vitin 2014. (Për periudhën) pas qershorit të 2014-ës do të vendosin të gjitha shtetet anëtare se çfarë do të bëjnë”, tha ai.

Brukseli e Prishtina zyrtare thuhet se janë pajtuar tashmë për vazhdimin e mandatit të misionit dhe rolit të ardhshëm të tij.

Sipas procedurave ligjore, i ashtuquajturi letërkëmbim për punën e EULEX-it pritet të votohet si marrëveshje ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës-gjë që do të kërkojë mbështetjen e së paku 80 votave.

Por, njohësit e rrethanave politike dhe ata të çështjeve të integrimit në Prishtinë thonë se nuk duhet fokusuar shumë në çështjet procedurale, por se duhet vlerësuar dhe rishikuar puna që ka kryer misioni evropian përgjatë viteve sa ka vepruar në Kosovë.

Problemet ekzistuese lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, sipas Ardian Arifajt nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave-KIPRED nuk flasin për arritje të mëdha të EULEX-it.

Arifaj vlerësoi se prania e EULEX-it në Kosovë do të jetë e nevojshme për një periudhë, siç tha ai, bukur më të gjatë përtej 2014-s.

BE-ja do të shikojë që ta vazhdojë sa më gjatë misionin e EULEX-it në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk do të jetë në gjendje që t’i bëjë ballë presionit që vjen nga BE-ja dhe duhet të pranohet EULEX-i përkundër mosfunksionalitetit dhe mosfunksionimit”, theksoi ai.

Autoritetet kosovare, ndërkaq, kanë përsëritur qëllimin e tyre që EULEX-i në të ardhmen të përqendrohet më shumë në dorëzimin e përgjegjësive tek autoritetet vendore.

Ekspertit për integrime evropiane, Shenoll Muharremi, foli për nevojën e krijimit të një “Exit-strategjie” për EULEX-in në kushte dhe me synime të caktuara.

Kosova duhet ta ketë një Exit-strategji për EULEX-in, por është shumë me rëndësi që kjo strategji të mos jetë faktikisht si nevojë e largimit të një mekanizmi të pavarur të drejtësisë, por duhet të inspirohet nga dëshira e kosovarëve për të sendërtuar një shtet ligjor dhe funksional. Kjo duhet të gëzojë gjithashtu një mbështetje financiare dhe njerëzore”, u shpreh Muharremi.

Me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës më datën 10 të këtij muaji, EULEX-i do të mbetet i vetmi institucion ndërkombëtar në Kosovë me fuqi ekzekutive në fushën e sundimit të ligjit.