Arsimimi, sfidë për fëmijët me nevoja të veçanta

Ilustrim

Kërkesat e prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta për t’i regjistruar fëmijët e tyre në shkolla të rregullta, po rritet çdo ditë e më shumë. Por, mundësia për ta, vazhdon të mbetet e vogël.

Shkolla fillore “Ismajl Qemajli”, në Prishtinë, mbetet e vetmja si shkollë gjithëpërfshirëse.



Violeta është nënë e vajzës 7-vjeçare, e cila është e prekur me autizëm. Ajo thotë se pavarësisht përpjekjeve për ta futur vajzën e saj në shkollën më të afërt të lagjes ku ajo jeton, këtë mundësi nuk e ka pasur.

“Prindërit po hasin në vështirësi për regjistrimin e fëmijëve të tyre, për shkak se nuk po i pranojnë në shkollën më të afërt të lagjes. Të gjithë prindërve u duhet t’i dërgojnë fëmijët në shkollën ‘Ismajl Qemajli’, pa marrë parasysh se në cilën lagje jetojnë. Mendoj se është një barrë për familjen”, thotë Violeta.

Por, prindërit po ballafaqohen edhe me vështirësi tjera. Sipas zonjës Violeta, asaj i duhet vetë të sigurojë asistenten, në mënyrë që të ndihmojë mësuesen dhe të merret me fëmijën e saj me autizëm, meqë, sipas saj, mësuesja në klasë është e ngarkuar edhe me një numër të madh të fëmijëve që vijojnë mësimin.

“Në shkollën ‘Ismail Qemajli’ janë 5 fëmijë me autizëm, por vështirësitë janë sepse asistenten duhet siguruar vetë familja. Edhe pse me ligj parashihet që duhet të sigurohet, ata arsyetohen se buxheti i vogël nuk lejon një gjë të tillë. Andaj, sërish barra bie mbi familjarët dhe ne vetë duhet të paguajmë asistenten që të merret me fëmijët tonë”, tregon Violeta.

Ndërkaq, Vedat Bajrami, zyrtar në Ministrinë e Arsimit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me gjithë kërkesat e mëdha, mundësitë për inkuadrim të fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta, janë të vogla.

“Sa u përket fëmijëve me nevoja të veçanta, ka kërkesa shumë të mëdha , meqë është bërë një vetëdijesim përmes mediave, kampanjave të ndryshme, dhe prindërit janë të njoftuar që në baza ligjore është e rregulluar që fëmijët me nevojat të veçanta të shkojnë në shkolla të rregullta. Por, jo të gjithë fëmijët mund të shkojnë, për shkak se jo gjitha shkollat e kanë infrastrukturën e duhur dhe mësimdhënësit nuk e kanë nivelin e edukimit në atë aspekt profesional për fëmijët me nevoja të veçanta”, thotë Bajrami.

Leonora Shabani, ka vajzën e prekur me sindromën Daun. Leonora, që njëherësh udhëheqë organizatën “Daën Sindrom Kosova”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kërkesat për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta janë mjaft të mëdha.

“Kërkesa për t’i përfshirë fëmijët me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta, ka mjaft. Por, askujt nuk i konvenon që nga secila lagje të dërgojë fëmijën vetëm në një shkollë, në klasë të bashkangjitur. Secili fëmijë sipas planit strategjik që e kemi hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ka të drejtë të vijojë mësimin në shkollën më të afërt”, pohon Leonora Shabani.

Por, sipas ZonjëszShabani, përmes organizatës që ajo udhëheq, kanë arritur që disa fëmijë t’i regjistrojnë edhe në shkolla tjera, përveç asaj “Ismail Qemajli”:

“Ne sot kemi regjistruar një fëmijë në shkollën ‘Dardania’ , në mënyrë zyrtare, një vajzë që është e prekur me sindromën Daun. Përmes organizatës i ndihmojmë prindërit, nëse vendos ta dërgojë fëmijën në shkollën më të afërt, t’ia mundësojmë këtë”.

Sipas Vedat Bajramit, Kosova ka nevojë për më shumë mësimdhënës të trajnuar, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm të punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta, në të gjitha shkollat e Kosovës.