Kosovë: Sa kërcënohen mjekët në punë?

Ilustrim

Rastet e kërcënimeve të personelit mjekësor nuk janë të pakta. Ato po vazhdojnë të mbeten një shqetësim për zyrtarët shëndetësorë.

Gjinekologia Syheda Latifi Hoxha, shefe e sallave të lindjeve në QKUK , thotë për Radion Evropa e Lirë se mjekët janë shumë të rrezikuar, si nga kërcënimet nga jashtë, po ashtu edhe për shkak të kushteve të vështira që punojnë.

Mjekët janë shumë të rrezikuar dhe mund ta them me përgjegjësi sepse punoj më shumë se 33 vjet në lëminë e urgjencës obstetrike. Mjekët denoncohen nga gjykatësit, pacientët, dhe ju vihen prangat. Ka edhe mjekë ndoshta që i meritojnë për sjellje tjera, por jo për probleme që janë profesionale. Pra, duhet ditur shoqëria në përgjithësi, çka është qasje e gabuar, pra si ju ka qasur mjeku gabim një rasti, dhe çka është një komplikim i mundshëm”, shprehet Hoxha.

Ajo pohon se lëmia e gjinekologjisë dhe obstetrisë që ka të bëjë me shtatzëninë, dhe lehoninë, janë periudha të cilat prej normales mundet të kalohet në një situatë dramatike, e deri te vdekja e nënës dhe fëmijës.

Andaj, kërcënimet nga pacientë apo familjarë të tyre shpeshherë janë të pa arsyeshme.

Është proces që ka rrugë të ndryshme, është proces dhe mund të ketë probleme nga më të ndryshmet, si te nëna, po ashtu edhe te fëmija. Për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm shoqëria në përgjithësi, si ekspertët, gjykatësit, që është një proces që nuk varet vetëm nga ndihma e njeriut”.

Ndryshe, sindikalistët e Qendrës Klinike Universitare thonë se mundësia e tyre për t’i mbrojtur mjekët nga sulmet fizike si dhe kërcënimet që u vinë nga jashtë është shumë e vogël.

Ne nuk kemi mundësi t’i mbrojmë. Ne, në aspektin juridik mundohemi ta ngritim zërin, realisht para kërcënimit direkt ne nuk kemi si t’i mbrojmë. Ne kemi kërkuar edhe nga drejtori që ta shtrëngojë çështjen e sigurisë, por QKUK-ja lëngon prej vitesh nga shumë mungesa”, shprehet. Xhemajl Selmani, drejtues i kësaj sindikate.

E zonja Hoxha, pohon se kërcënimet ndaj mjekëve, qoftë nga pacientët apo familjarët e pacientëve, shpesh pa arsye, vinë si mungesë e vetëdijes së qytetarëve në aspektin profesional.

Te ne, komplikimet e mundshme merren si gabime të mjekëve. Andaj, mjeku te ne është i denoncuar, i mbrojtur hiç, i falënderuar pak, i ndëshkuar shumë, i pasigurtë në vendin e punës, në shumë aspekte, e mos të flasim për punën stresuese dhe përgjegjësinë në punë, i ndëshkuar nga paga që e merr”, thotë Hoxha.

Në anën tjetër, Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, deklaron për Radion Evropa e Lirë, se kërcënimi ndaj mjekëve, nuk ka qenë një dukuri shumë e shprehur në Kosovë, por që kohëve të fundit është rritur numri i atyre që kërcënojnë personelin mjekësor.

Kohëve të fundit është rritur numri i atyre që i kërcënojnë mjekët. Ka pasur kërcënime në klinikat e gjinekologjisë, emergjencës dhe kirurgjisë, aty ku edhe shkojnë pacientë me gjendje më të rëndë”.

Kjo merret si kërcënim në vendin e punës, dhe mendoj se askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë, sepse mjekët punojnë në kushte shumë të vështira. Në qoftë se ndonjë mjek bën gabim në aspektin profesional, atëherë duhet të merret komisioni me të. Mendoj se duhet një qasje më e dejtë e atyre që kanë nevojë për mjekë”.

Ka pasur raste kur edhe mjekët kanë provokuar rastin, duke kërkuar të holla, duke e vonuar rastin e pacientit, por që e gjithë kjo ndikon keq edhe në pacientët e shtrirë në ato klinika e edhe te mjekët që ndihen të pasigurt në vendin e punës”, bën të ditur Shala.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se gabimet profesionale janë pjesë e punës së mjekëve, mirëpo sistemi i monitorimit është më i dobët sesa që duhet të jetë, dhe sipas tij, kjo paraqet njërin nga objektivat për iniciativën e themelimit të Odës së Mjekëve.

Sidoqoftë, me raportimin e gabimit të diagnozës, do të qartësoheshin gjërat dhe ndoshta do të ulej shkalla e kërcënimeve ndaj mjekëve nga ana e pacientëve apo familjarëve të tyre.