Serbia s'ka asnjë të drejtë në privatizim

Ilustrim

Serbia nuk ka të drejtë ta kontestojë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Sipas Kushtetutës së Kosovë dhe Pakos së Ahtisarit, Republika e Kosovës do t’i ketë në pronësi të vet të gjitha ndërmarrjet në territorin e saj që janë ndërmarrje në pronësi publike.

“Të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me këto të drejta pronësore, do të jenë obligime të Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës mund të privatizojë, të japë me koncesion ose të japë me qira, ndërmarrjet në pronësi publike, në mënyrën e rregulluar me ligj”, thuhet në nenin 160 për ndërmarrjet në pronësi publike të Kushtetutës së Kosovës.

Autoritetet e Serbisë së fundi kanë kundërshtuar procesin e privatizimin në Kosovë.



Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e privatizimit në tërë territorin e Kosovës që nga viti 1999 e deri më sot.

Këtë kërkesë të autoriteteve të Serbisë edhe ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë dhe përfaqësues të organizatave ekonomike, e quajnë të pakuptimtë. Ata thonë se as Serbia dhe as një shtet tjetër nuk mund të ndikojë, pengojë apo ta kontestojë privatizimin në Kosovë.

Profesori i Ekonomisë, Musa Limani, thotë për Radion Evropa e Lirë se modelin apo politikat operative të procesit të privatizimit i zbaton vetë shteti. Ai thotë se Kosova ka bërë privatizimin e ndërmarrjeve në bazë ligjore dhe kushtetuese.
Serbia nuk ka asnjë të drejtë, jo vetëm Serbia, po as një shtet tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë në privatizimin e ndërmarrjeve publike të një shteti tjetër.

“Serbia nuk ka asnjë të drejtë, jo vetëm Serbia, po as një shtet tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë në privatizimin e ndërmarrjeve publike të një shteti tjetër. Në këtë rast, vetëm Kosova mund të hartojë dhe t'i zbatojë politikat dhe modelet e procesit të privatizimit”, thekson Limani.

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë kishte filluar në vitin 2003. Agjencia Kosovare e Privatizimit që nga fillimi i procesit të privatizimit deri më tani ka shpallur 56 valë të privatizimit, janë privatizuar mbi 300 ndërmarrje shoqërore dhe janë krijuar mbi 600 ndërmarrje të reja.

Ndërsa, nga shitja e këtyre ndërmarrjeve janë grumbulluar mbi 500 milionë euro.

Privatizim të ndërmarrjeve publike, gjatë kësaj periudhe, ka pasur edhe në zonat e banuara me shumicë serbe. Privatizimi ka ngecur te disa ndërmarrje, për shkak të çështjeve të pazgjidhura pronësore, siç është rasti i kompleksit turistik Brezovica.

Profesor Musa Limani thotë se me Serbinë, për çështjen e privatizimit mund të bisedohet vetëm për çështje të ndërmarrjeve të Serbisë që janë në Kosovë dhe anasjelltas.

“Serbia, eventualisht, mund të ndërhyjë në ndërmarrjet që i ka pasur në Kosovë, e që janë shumë të pakta. Edhe aty mendoj që nuk ka të drejtë pasi që ndërmarrjet e Kosovës që kanë qenë në Serbi, siç është rasti me kombinatin Trepça dhe ndërmarrje tjera, Serbia i ka përvetësuar dhe i ka shitur”, shpjegon Limani.

Në anën tjetër, në Kosovë aktualisht është duke vazhduar procesi i privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës.


Në kohën kur kishte filluar procesi i privatizimit të kësaj ndërmarrjeje publike në vitin 2010, Serbia kishte kërkuar nga kompanitë botërore që kishin konkurruar për blerjen e Postë-Telekomit të Kosovës që të mos përfshihen në blerjen e kësaj ndërmarrjeje, në të kundërtën do t’u drejtohet gjykatave prej nga janë kompanitë, si dhe drejtësisë ndërkombëtare për ta penguar këtë proces.

Përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë thonë se kërkesat e tilla të Serbisë nuk duhet të kenë asnjë ndikim në procesin e privatizimit. Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto pretendime të Serbisë nuk duhet të kenë ndikim në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve për faktin, se siç thotë Zeka, është i ditur qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës.

“Gjithçka që Serbia ka bërë në Kosovë dhe tashmë pretendon se ka bërë gjatë asaj periudhe, besoj se nuk duhet të merret parasysh, e sidomos ato që lidhen me privatizimin nuk duhet merren si relevante. Tani kërkesa e institucioneve të Serbisë se privatizimi duhet të ndalet apo se nuk duhet të vazhdojë, nuk duhet të merret parasysh nga askush”, shprehet Zeka.

Procesi i privatizimit deri në muajin prill të vitit 2008, është mbikëqyrur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në kuadër UNMIK-ut, ndërkaq, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetencat kanë kaluar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Autoritetet e Serbisë ende refuzojnë të njohin subjektivitetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe për këtë arsye, ky shtet tashmë ka privatizuar disa asete të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në territorin e Serbisë.

Kërkesa e Serbisë - ëndërr