AKP: Privatizimi nuk pengohet nga deklaratat boshe

Ilustrim

“Agjencia Kosovare e Privatizimit, vazhdon punën e saj dhe nuk pengohet nga deklaratat boshe politike. AKP ka ekskluzivitetin e privatizimit të pronës shoqërore në Kosovë, në bazë të kushtetutës dhe ligjit dhe ka obligim ligjor dhe kushtetues privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore të vendit tonë edhe jashtë territorit të Kosovës”.

Kështu i kundërpërgjigjet Arta Gosalci, zëdhënëse në këtë agjenci, deklaratës se Drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese serbe kërkesën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e privatizimit në tërë territorin e Kosovës që nga viti 1999.

Gosalci thotë se Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka shtrirje gjithëpërfshirëse në tërë territorin e Kosovës. Gjithashtu ka të hapura edhe 3 zyra satelitore: Leposaviq, Shtërpcë dhe Graçanicë.

“E vërteta është se autoriteti i AKP-së njihet nga të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe ata të komunitetit serb, të cilët jo vetëm se janë pjesëtarë të stafit të Agjencisë, por edhe blerës,” ka thënë Gosalci për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e privatizimit në tërë territorin e Kosovës që nga viti 1999 e deri më sot.

Drejtori i zyrës Aleksandër Vulin ka paralajmëruar më herët dorëzimin e kësaj kërkese, duke sqaruar se e njëjta gjë do të kërkohet edhe nga insitucionet ndërkombëtare.

“Nuk mund të blini diçka që është e vjedhur. Duhet se pari të vërtetohet kujt çka i takon, dhe pastaj mund të mendojmë për privatizim”, ka thënë Vulin, duke shtuar se privatizimi në Kosovë është monoetnik dhe në të nuk kanë marrë pjesë serbët.

Kosova dhe Serbia kanë ende shumë çështje të hapura. Pavarësisht dëmeve të shumta në njerëz dhe prona, të shkaktuar nga regjimi i viteve të ’90-ta i Serbisë, Kosova ende nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim.

Gjithashtu, Kosova nuk ka marrë pjesë në ndarjen e aseteve të trashëguara nga ish Jugosllavia, derisa nuk është zgjidhur as çështja e dhjetëra mijëra pensionistëve kosovarë, fondi i të cilëve vazhdon të mbetet në Serbi. (n.a.)