“UÇK Qeveria” kërkesë ndërkombëtare para bisedimeve me Serbinë

Foto nga arkivi

Krijimi i një koalicioni të ri qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës para procesit të paralajmëruar të bisedimeve politike me Serbinë, do të mund të ishte në dëm të Kosovës, thonë analistët politikw në Prishtinë.

Ata vërejnë se partia më e madhe në pushtet, por edhe disa qarqe ndërkombëtare, dëshirojnë një koalicion më të fuqishëm, marrë parasysh brishtësinë që ka koalicioni aktual ndërmjet PDK-së dhe AKR-së.

Mirëpo, ndryshimi i formulës qeverisëse vetëm sa për t’i dhënë fuqi qeverisë për një proces të ardhshëm negociues me Serbinë dhe për të hapur eventualisht diskutimet për veriun e Kosovës, sipas analistëve, mund të ketë pasoja negative.

Publicisti dhe analisti Halil Matoshi thotë se ndryshimet në koalicion mund të jenë rrjedhojë e paralajmërimeve për dialog politik me Serbinë, duke pas parasysh se koalicioni aktual nuk ka fuqi politike për procese të tilla.

Zoti Thaçi dhe drejtuesve të PDK-së u duhet një partner i fortë, kushtimisht të them për koncesione në veri dhe ky partner patjetër që duhet të jetë AAK-ja, e cila perceptohet si parti e dalë po ashtu nga lufta e UÇK-së”, thekson Matoshi.

Gjatë korrikut, instituti KIPRED kishte paralajmëruar mundësinë e ndryshimit të koalicionit, në prag të fillimit të një procesi të ri bisedimesh politike me Serbinë.

Shpend Kursani nga ky institut, thotë se krijimi i një qeverie prej PDK-së dhe AAK-së që në terme politike shpesh quhet edhe si ”UÇK Qeveri”, nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar shihet si mundësi që kompromiset eventuale në bisedimet me Serbinë të kalojnë me sa më pak zhurmë në Kosovë.

Andaj, sipas tij, një formulë e tillë e krijuar shpejt e shpejt mund të konsiderohej e dëmshme për Kosovën.

Arsyeja pse ne mendojmë që një qeveri e tillë do të krijohet është mu për shkak të përshtypjes që ka komuniteti ndërkombëtar se po të krijohej një qeveri e tillë, siç e quajnë ata- qeveri të UÇK-së, çfarëdo zgjidhjesh që do të bënte ajo, opinioni publik nuk do t’i kundërshtonte, kështu që do të ishte shumë më e lehtë për komunitetin ndërkombëtar që ta fuste Kosovën në kompromise të reja dhe shumë të rënda për Kosovën”, thekson Kursani.

Në anën tjetër, analisti Halil Matoshi thotë se edhe një koalicion i fuqishëm si ai PDK- AAK nuk do ta ketë të lehtë të merrte përgjegjësinë e marrjes së vendimeve të vështira politike, pasi që në Kosovë do të kishte sërish një opozitë të fuqishme që do të përbënin LDK-ja dhe Vetëvendosja.

Ai preferon që të përfundohet procesi i reformave dhe zgjedhjeve dhe më pas të kalohet në procesin e bisedimeve të reja me Serbinë fqinje.

Do të duhej që së pari të shkohej në zgjedhje të lira, kuptohet pas përfundimit të reformës zgjedhore dhe pasi të vendoset për një president konsensual ose për një president që do të zgjidhej me votën e popullit, dhe pas zgjedhjeve të formohej një ekip në nivel shtetëror i cili do të merrte përgjegjësinë, jo në emër të një partie a grupacioni politik, por në emër të shtetit të Kosovës edhe në procesin e ardhshëm të bisedimeve me Serbinë”, thotë Matoshi.

Sidoqoftë, AAK deri më tani vetëm i ka dhënë mesazhet e para politike për gatishmërinë e saj për përfshirje në qeveri, me arsyetimin se dëshiron të marrë përgjegjësi dhe jo të rrijë anash kur bëhet fjalë për interesat shtetërore të Kosovës.

Por, AAK i ka kundërshtuar në vijimësi vlerësimet se ajo po përfshihet në koalicion qeverisës vetëm sa për të bërë koncesione për veriun.

Megjithatë, disa parakushte që i ka paraqitur AAK-ja mund të jenë vështirë të pranueshme për PDK-në.

Një nga këto parakushte është që lideri i AAK-së, Ramush Haradainaj, nëse shpallet i pafajshëm nga Tribuinali i Hagës, të marrë nën drejtim qeverinë, çka automatikisht do ta largonte nga kreu i qeverisë njërin nga liderët aktualisht më të fuqishëm politik në Kosovë, Hashim Thaçin.

Andaj, mbetet të shihet nëse AAK dhe PDK do të mund të përafroheshin dhe merreshin vesh për ndarjen e pushtetit nëse do të vinte deri te pajtimi i tyre për koalicion qeverisës.