Masa kundër ekonomisë joligjore

Punëtor në Maqedoni...

Qeveria e Maqedonisë është duke ndërmarrë një varg aktivitetesh për të luftuar maksimalisht ekonominë joformale, e cila në përmasa të konsiderueshme dëmton ekonominë ligjore, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Spiro Ristevski.

Sipas tij, pas kontrolleve të shpeshtuara të Inspektoratit për Punë si dhe një varg masash që ka ndërmarrë Qeveria, për të subvencionuar punësimet e reja, është rritur numri i punëtorëve të siguruar në fondin shëndetësor dhe atë pensional, megjithëse është shprehur se punëdhënësit tentojnë në çdo formë të mos i paraqesin punëtorët, që janë të angazhuar në të zezë.

“Edhe më tej, si dikaster i punës dhe politikës sociale, jemi të pakënaqur nga qasja e punëdhënësve, të cilët i shfrytëzojnë benificionet e caktuara të Qeverisë dhe njëkohësisht tentojnë të gjejnë zbrazëti për të anashkaluar pagesën e sigurimit të punëtorëve. Gjithsesi ky është proces dhe kërkon kohë, ndërkohë që ne mbetemi të angazhuar maksimalisht në këtë drejtim”, ka theksuar ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Siro Ristovski.

Por, përfaqësuesit e biznesit kanë thënë se ekonomia joformale duke përfshirë një të tretën e bruto-zhvillimit vendor në Maqedoni ka pak gjasa se mund të zvogëlohet niveli i veprimit të ekonomisë gri.

Zoran Jovanovski, ekspert i ekonomisë, ka theksuar se përderisa shkalla e papunësisë edhe zyrtarisht në Maqedoni është mbi 30 për qind dhe oferta për punë pothuajse është inekzistente, është shumë e logjikshme që ekonomia informale të zë një pozicion dominues.

Sipas tij, gjendja është alarmante me vetë faktin se prezenca e ekonomisë gri në këtë shkallë pengon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, njëherësh është dhe dezinkurajuese për investitorët e huaj.

Konsideroj se zgjidhja e këtij problemi do të mund të arrihej përmes uljes së taksave për sigurimin e punëtorëve në njërën anë dhe njëkohësisht t’i shpallet një lufte joselektive ekonomisë gri nga ana e të gjitha organeve kompetente të shtetit”, ka theksuar Jovanovski.

Ekspertët në Maqedoni, gjithashtu, kanë kritikuar institucionet vendore pasi nuk ndjekin nevojat, kërkesat që janë të nevojshme për zhvillimin e biznesit.

Jonuz Abdullahu, nga Fakulteti i Administratës në Universitetin e Evropës Juglindore, në Tetovë, ka thënë se problematika për të luftuar këtë dukuri mbetet tek administrata joefektive, ku akoma vlerësohet se ka shumë procedura dhe ngadalësim në zgjidhjen e kërkesave të afaristëve.

“Institucionet që duhet të jenë në mbrojtje të punëtorëve, siç duket shumë pak mbajnë llogari për këtë çështje, duke filluar nga sindikata ku punëtori ka shumë pak bindje se mund të kërkojë mbrojtje dhe të besojë se mund të mbrohet. Shpeshherë punëtorët tanë as që mund të bëjnë krahasime me sindikatat e vendeve të perëndimit, të cilët janë faktor në mbrojtjen e interesave të punëtorëve”, është shprehur Abdullahu.

Ndryshe, Maqedonia brenda vitit ndryshoi Ligjin për marrëdhënie pune, me ç’rast parashihen dhe gjoba ndërmjet 6000 dhe 7000 euro për punëdhënësit, të cilët angazhojnë punëtorë në të zezë.