Gratë në politikë dhe biznes

ilustrim

Pozita e grave në proceset vendimmarrëse, si dhe në biznese, nuk është në nivelin e duhur, konsiderojnë përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave.

Igballe Rogova, udhëheqëse e rrjetit të grave në Kosovë, thotë se përfshirja e grave në politike në nivelin lokal, është shumë e ulët, përderisa në nivelin qendror, sipas saj, ka përmirësime.



Pengesat e pjesëmarrjes së gruas në politikë janë të shumta. Shumë gra dhe burra mendojnë se politika është “ mashkullore” dhe për këtë arsye gratë e kanë të vështirë të zhvillojnë vetëbesimin që nevojitet për të kandiduar për poste publike.

“Ne duhet të përmirësojmë pozitën edhe në nivelin lokal. Ne shohim se akoma sot e kësaj dite nuk kemi asnjë grua që është kryetare e komunës. Ne duhet të shohim gra më aktive në nivelin lokal, pra në asamble, pasi aty shqyrtohen kërkesat e të gjithë qytetarëve në atë komunë. Kjo është ajo që na shqetëson dhe duhet të punojmë më shumë në atë aspekt”, thotë Rogova.

Ndryshe, në Kosovë tashmë ekziston edhe Ligji për Barazi Gjinore, ligj ky i cili obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në proceset vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

Por, Igballe Rogova thekson se nuk duhet të përcaktohen përqindje dhe kuota, por me vullnet dhe gatishmëri të strukturave së pari partiake, për një përfshirje të mirëfilltë të femrës në proceset vendimmarrëse.

“Ligji dhe kuota ekziston, por ne duhet të shohim më shumë kualitet në këtë numër të grave që janë edhe në nivelin qendror dhe atë lokal. Do të thotë, pjesëmarrja e grave mos të jetë sa për numër, mirëpo të jetë një pjesëmarrje aktive. Për këtë duhet bërë më shumë edhe kryetarët e partive, të bëjnë reforma brenda partive të tyre”.

“Në këto reforma duhet t’u jepet hapësirë grave, jo për shkak se është një femër dhe kërkohet me ligj dhe kuota, por që t’i jepet hapësirë asaj gruaje që ka një zë të fortë në komunitet dhe ka mundësi aktivizimi në gjithë komunitetin”
, konsideron Rogova.

Përvec pozitës së ulët të grave në politikë, një përfshirje në nivel jo të knaqshëm është edhe ajo e grave në biznes, thonë përfaqësues të grave afariste.

Hamide Latifi, nga organizata joqeveritare “ Gratë në Biznes”, thotë se vlerësohet se vetëm tetë për qind e kompanive private menaxhohen nga gratë.

Megjithatë, Latifi tregon se në cilat veprimtari janë të fokusuara më tepër gratë.

“Ato fillimisht janë fokusuar nga shtëpia, nga resurset që kanë pasur në shtëpi dhe janë inkuadruar më shumë në fushën e bujqësisë, gatimit përpunimit të ushqimit, artizanaleve, bizhuterisë. Ndërsa kohëve të fundit ato janë përfshirë edhe në shërbime, duke përfshirë këtu kujdesin e fëmijëve, pastrimin, kontabilitetin biznese tjera,e edhe krijimin e mediave informative- elektronike, si biznese të mirëfillta”, shprehet Latifi.

Sidoqoftë, edhe në këtë fushë, paragjykimet e shoqërisë se një grua mund të jetë menaxhere e suksesshme, ndikon në pjesëmarrjen e vogël të grave në biznes.