Rusi: Dy vjet burgim për vajzat e "Pussy Riot"

Your browser doesn’t support HTML5

Tri vajzat e "Pussy Riot" shpallen fajtore

Gykatësit rusë kanë dënuar me dy vjet heqje lirie anëtaret e grupit “Pussy Riot”.

Tri vajzat janë gjetur fajtore për huliganizëm, të motivuar nga urrejtja fetare.

Gjykatësja Marina Sirova tha se anëtaret e bendit “kishin planifikuar me kujdes” aksionin e tyre të 21 shkurtit brenda katedrales Krishti Shpëtimtar.

“Tolokonikova, Samuceviq dhe Aljokina kanë kryer huliganizëm - kjo është shkelje serioze e rendit publik, duke shprehur mosrespekt të hapur për shoqërinë, të motivuar nga armiqësia dhe urrejtja fetare e një grupi të veçantë social, e kryer nga një grup i njerëzve nën një marrëveshje të paramenduar”, tha gjykatësja.

Amnesty International tha se ato tria janë të burgosura të ndërgjegjes.

Lideri rus opozitar i Frontit të Majtë, Sergei Udalcov, duke folur para gjykatës para se të arrestohej vetë, tha se anëtaret e grupit janë linçuar.

“Nuk kam qenë asnjëherë tifoz i ‘Pussy Riot’. Derisa janë arrestuar unë nuk i kam kushtuar vëmendje artit të tyre. Performanca e tyre, dhe mënyra se si është bërë, gjithashtu ka ngritur shumë pyetje. Por, kur e kam parë se po zhvillohet një linçim i vërtetë politik, një linçim kundër tri vajzave të parrezikshme, unë jam tmerruar deri në thellësi të shpirti tim”, tha Udalcov.

Vajzat mohojnë se kanë pasur për qëllim që të ofendojnë besimtarët.

Ato argumentojnë se aksioni i 21 shkurtit në Katedralen e Krishti Shpëtimtar ishte protestë kundër lidhjeve të ngushta në mes të kishës dhe shtetit dhe në veçanti për shkak të mbështetjes që lideri i Kishës Ortodokse Ruse, patriarku Kiril i ka dhënë presidentit Vlladimir Putin në fushatën zgjedhore presidenciale të mbajtur në vitin e kaluar.

Rasti ka shkaktuar reagime ndërkombëtare.

Ish-anëtari i Beatles, Pol Mekartni dhe Madona iu janë bashkuar qeverive perëndimore për të kritikuar rastin.

Mihail Fedotov, kreu i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, i afërt me Putinin, e ka quajtur procesin gjyqësor të “turpshëm”.

Në një vizitë të fundit në Londër, Putini tha se vajzat Maria Aljokina, Nadezhda Tolokonikova dhe Jekaterina Samuceviq – nuk duhet të gjykohen “ashpër”.

“Megjithatë, nuk mendoj se që duhet të dënohen ashpër për këtë. Shpresoj se ato do të mësojnë diçka nga kjo vetë. Por, i takon gjykatës që të marrë vendimin final”, pati thënë Putin.

Analistja e Qendrës Carnegie në Moskë, Maria Lipman ka parashikuar dënimin jo të lehtë për vajzat, me gjithë qëndrimin në dukje të butë të Putinit ndaj rastit.

“Vendimi, nuk merret në gjykatë, si në rastet tjera të shquara politike në Rusi, ku vendimi merret diku tjetër" , tha Lipman.

Që nga inaugurimi i tij në maj, Putini ka nënshkruar disa ligje që rrisin gjobat për protestuesit, që shtrëngojnë kontrollin në internet dhe vendosin rregulla më të ashpra mbi fushatat e financuara nga jashtë dhe grupet lobiste.

Sondazhet sugjerojnë se shumë rusë besojnë se femrat e arrestuara tash pesë muaj, nuk duhet të qëndrojnë edhe më tej prapa grilave.

Megjithatë, Vlladimir Burmatov nga partia e pro-Kremlinit, Rusia e Bashkuar, tha se gratë duhet të dënohen, sepse kanë ofenduar besimtarët ortodoksë.

“Kjo ishte një vepër e ndërgjegjshme, ato e kuptonin mjaft qartë ku shkonin dhe pse. Ata ishin përgatitur për këtë, dhe ato fjalë në lidhje me gabimin që kanë bërë, i thanë vetëm kur ishte koha për të folur për mediat. Jo më herët. Ky nuk ishte një gabim për to, ata po bënin punë e tyre”, tha Buramtov.
Përgatiti: Albana Isufi