Mosmbikëqyrja ul donacionet në QKUK

QKUK

Në Qendrën Klinike Universitare kanë hyrë shumë barna, material shpenzues, aparatura dhe pajisje mjekësore, në formë donacionesh.

Nevoja për donacione, sipas zyrtarëve shëndetësorë, është e domosdoshme duke e marrë parasysh që buxhet për shëndetësi është mjaft i vogël dhe nuk i mbulon nevojat për pacientët kosovarë.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare, Njazi Gashi, thotë se donacionet do ta zbusin sadopak mungesën e mjeteve që tash për tash ka sistemi shëndetësor.

“Buxheti i QKUK-së është i vogël dhe ne kemi nevojë për donacione që sadopak do ta zbusin mungesën dhe buxhetin e ulët të QKUK-së. QKUK-ja ka përfituar mjaft nga donacionet. Vlen të përmendet donacioni AIHA që po e bën renovimin e Pediatrisë Emergjente, pastaj donacioni 22 mijë euro nga Fondacioni për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës, një donacion tjetër nga një agjenci medicinale që ka dhuruar proteza për gratë e prekura me kancer e që kanë hequr gjirin. Gjithashtu, kemi donacione për Onkologji, për pajisje të kabinetit të kimioterapisë”, bën të ditur Gashi.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së sekretarit permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Gani Shabani, pohon se ministria në fjalë vazhdimisht ka kontakte me donatorë, në mënyrë që të përfitohet nga ta, sepse, siç thotë ai, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë nuk lejon që të mbulohen gjitha nevojat e pacientëve.

“Sa i përket donacioneve, vazhdimisht kemi kontakte me donatorë, dhe çdo donacion është më se i nevojshëm dhe shumë i mirëseardhur. Ato janë një ndihmesë e madhe për shëndetësinë kosovare. Nuk ka donacione të mjaftueshme, por secila është e mirëseardhur dhe e qëlluar, duke e marrë parasysh që buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është shumë i vogël”.

“Donacioni i fundit që Ministria e Shëndetësisë e ka marrë, janë 5 autoambulanca, të cilat do të shpërndahen nëpër komuna, aty ku edhe ka mungesa”
, thotë Shabani.

Shabani shton se sistemi shëndetësor ka nevojë për donacione, duke filluar nga barnat, e deri tek aparaturat dhe trajnimet e stafit, duke konsideruar se në këtë mënyrë do të ngrihen kapacitetet dhe niveli i shërbimeve shëndetësore.

QKUK-ja në muajin maj të këtij viti kishte formuar një komision që do t’i monitoronte donacionet që hyjnë brenda këtij institucioni. Donacionet, deri para kësaj kohe, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, nuk janë regjistruar askund, andaj, sipas Gashit, me kohë ishte zbehur edhe interesimi për të dhuruar donacione, qofshin ato individuale, apo edhe nga organizata të caktuara.

Por, drejtori i QKUK pohon se ky komision në krye me Bujar Gjikollin, kishte rezultuar i suksesshëm vetëm tre muaj, duke treguar se më pas, kreu i këtij komisioni ka dhënë dorëheqje. Për pasojë, ky komision nuk po funksionon.

“QKUK-ja pati formuar një komision ku në krye ka vendosur doktor Bujar Gjikollin, por për shkaqe për ne të panjohura, ai ka dhënë dorëheqje dhe tani jemi në kërkim të një njeriu adekuat për ta emëruar si kryetar të komisionit”, shprehet Gashi.