Myslimanët në botë: Uniteti dhe diversiteti

Ilustrim

"Myslimanët në botë janë të bashkuar në besimin në Zot dhe profetin Muhamed, por ekzistojnë dallime të mëdha lidhur me shumë aspekte të tjera të besimit - përfshirë rëndësinë e fesë në jetë, praktikat e pranueshme për Islamin dhe përkushtimin e besimtarëve në zbatimin e rregullave fetare", vë në pah raporti i fundit i Forumit mbi Religjionin dhe Jetën publike të organizatës The Pew Research Center.

Në kuadër të më shumë se 38 mijë intervistave në mbi 80 gjuhë në ndryshme të zhvilluara në 39 shtete, hyn edhe Kosova.

Raporti vë në pah qëndrimet e të intervistuarve ndaj parimeve fetare, formave të tjera të besimit, interpretimit të Kur’anit, kritereve që e përcaktojnë të qenit mysliman, sekteve të ndryshme myslimane dhe ndaj përkushtimit fetar.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.

Për dallim nga vendet si Afrika, Azia Juglindore dhe Azia Lindore ku feja konsiderohet të ketë një rol “shumë të rëndësishëm” në jetën e qytetarëve, “ feja luan një rol më pak të rëndësishëm për disa myslimanë - veçanërisht në shtetet që kanë dalë së fundi nga komunizmi”.

Në të dhënat për vendet e rajonit, Kosova prin me 44 për qind kur bëhet fjalë për rëndësinë që ka feja në jetën e qytetarëve. Se feja zë vend të rëndësishëm në jetën e tyre janë deklaruar 36 për qind të boshnjakëve të intervistuar, ndërsa 15 për qind e qytetarëve në Shqipëri kanë thënë se feja zë vend qendror në jetën e tyre.

Dallimet e ngjashme ndërmjet këtyre vendeve dalin në pah edhe kur bëhet fjalë për interpretimin e rregullave islame.

Forumi i The Pew Research Center pyeti myslimanët e intervistuar se a ka vetëm një apo më shumë interpretime të fesë islame dhe teknikave për praktikimin e saj.

Raporti vë në pah se 52 për qind të kosovarëve të intervistuar besojnë se ka vetëm një formë të intepretimit, përderisa 21 për qind mendojnë se ka më shumë.

Për 41 për qind të myslimanëve të Shqipërisë thuhet se ekziston një interpretim i vetëm i Islamit, ndërsa 23 për qind të tyre e thonë të kundërtën.

Pak më ndryshe janë perceptimet në Bosnjë mbi çështjen e shtruar: 75 për qind prej tyre thonë se nuk ka interpretime të shumëanshmë të Islamit, ndërkaq 18 për qind shprehen në mbështetje të shumëllojshmërisë në interpretimin e fesë islame.

Çështje tjetër që analizohet në raportin e The Pew Research Center është dhe përkushtimi në zbatimin e ritualeve fetare si falja e namazit, shkuarja në xhami, dhënia e zekatit dhe agjërimi gjatë muajit Ramazan.

Kosovarët sërish prijnë në mesin e vendeve të rajonit kur bëhet fjalë për faljen e namazit: 43 për qind e kosovarëve thonë se falen disa herë gjatë ditës; këtë e pohojnë 7 për qind e shqiptarëve dhe 19 për qind e boshnjakëve.

Kur bëhet fjalë për shkuarjen në xhami, boshjakët sipas raportit, janë vizitorët më të shpeshtë të xhamive në rajon me 30 për qind, pasuar nga myslimanët e Kosovës me 22 për qind dhe ata të Shqipërisë me 5 për qind.

Shqiptarët radhiten të fundit edhe kur bëhet fjalë për agjërimin gjatë muajit Ramazan me 44 për qind të tyre që thonë se e praktikojnë këtë rregull të Islamit.

Myslimanët e Kosovës, ndërkaq, janë për një për qind më të përkushtuar se sa boshnjakët, 75 për qind prej të cilëve thonë se agjërojnë gjatë muajit Ramazan.

Analizat mbi të cilat është bazuar raporti “Myslimanët në botë: Uniteti dhe diversiteti” i Forumit mbi Religjionin dhe Jetën publike të organizatës The Pew Research Center thuhet se janë kryer përgjatë disa viteve.

Vendeve, në të cilat janë intervistuar qytetarët përgjatë viteve të kaluara, u janë shtuar në studimin e vitit 2011-2012 edhe 24 shtete të tjera, shumica e popullatës së të cilave është myslimane.

Nga 1485 kosovarët e intervistuar 1266 kanë thënë se janë myslimanë.