KIPRED: Mbikëqyrja e pavarësisë përfundon, problemet mbesin

Ilustrim

Megjithqë Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën e ka bërë të ditur synimin për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, disa probleme mbeten, thuhet, pos tjerash, në raportin e institutit KIPRED me seli në Prishtinë.

“Në fakt janë disa suksese në zbatimin e Planit Ahtisari, siç është krijimi i komunave të reja me shumicë serbe, decentralizimi, mbrojtja e trashëgimisë fetare dhe kulturore, miratimi i simboleve kombëtare, flamurit dhe himnit, duke reflektuar karakterin shumetnik, pastaj themelimi i policisë shumetnike të Kosovës dhe përfshirja graduale e komuniteteve joshumicë në institucionet publike”, thuhet në raport.

Megjithatë, mbesin të pazgjidhura problemet e vërteta të Kosovës: “ajo mbetet e ndarë përbrenda dhe me legjitimitet të kufizuar në arenën ndërkombëtare, ka mangësi në zbatimin e legjislacionit të aprovuar, ka probleme të thella sa i përket funksionimit themelor demokratik”.

Në raport, poashtu, shkruan se “pjesa veriore mbetet de-facto e ndarë, një situatë kjo që rrezikon t’i minoj të gjitha sukseset e arritura në jug të vendit”.

Autorë të raportit të KIPRED-it janë Ilir Deda dhe Shpend Kursani.