Zjarret kanë kapluar Kosovën

Foto nga arkivi

Për shkak të temperaturave të larta, gati e gjithë Kosova është kapluar nga zjarret, kanë deklaruar zyrtarë nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent.

Rajoni më shqetësues, sipas tyre, mbetet pjesa e Dukagjinit, konkretisht Bjeshka e Deçanit, ku deri më tani janë djegur rreth 100 hektarë pyje dhe zona të gjelbëruara.



Zjarreve, ndërkaq, nuk i kanë shpëtuar as komuna e Malishevës, ajo e Drenasit, Gjilanit, Dardanës, si dhe rajoni i Mitrovicës.

Alush Beqiri nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, thotë se kapacitetet e zjarrfikësve për shuarje të zjarrit nuk janë të mjaftueshme.

“Për shkak të temperaturave të larta gati tërë territori i Kosovës është i mbuluar nga zjarri, ndërsa vendi më kritik është pjesa e Dukagjinit. Edhe rajoni i Mitrovicës ka qenë i rrezikuar ditë më parë. Shkaktare janë temperaturat e larta, por edhe faktori njeri. Kapacitete për shuarjen e zjarrit në Kosovë nuk janë të mjaftueshme, andaj shpeshherë kemi angazhuar në disa komuna mobilizimin e vullnetarëve, kryesisht zjarrfikës”, bën të ditur Beqiri.

Ai sqaron se kanë kërkuar ndihmë edhe nga Forca e Sigurisë e Kosovës dhe KFOR-i, derisa këta të fundit nuk kanë ofruar ndonjë ndihmë përveç vëzhgimit.

“Është kërkuar ndihmë nga FSK-ja dhe kanë reaguar, ndërkaq KFOR-i nuk është duke intervenuar, ndonëse ne kemi kërkuar ndihmë nga KFOR-i, por në bazë të rrezikut, edhe kapacitetet e tyre që tashmë janë më të vogla, nuk ka pasur ndonjë intervenim përveç që kanë dalë në vëzhgim”, shpjegon Beqiri.

Ndërkaq, ndihmësi i komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka deklaruar se gjatë javës së parë të këtij muaji, kanë pasur 65 dalje ku 55 prej tyre kanë qenë zjarre.

“Kemi të bëjnë me zjarre fushore, si pasojë e temperaturave të larta. Por, zjarri shkaktohet edhe nga faktori njeri. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, pasi që në këto temperatura zjarri merr një intensitet shumë të lartë dhe dëmet mund të jenë shumë të mëdha. Sidomos kur zjarri ndizet afër shtëpive”.

“Ne po funksionojmë si shërbim i decentralizuar dhe i mbulojmë disa komuna - atë të Prishtinës dhe asistojmë në komunat përreth. Andaj kapacitetet tona janë të limituara
”, thotë Gashi.

E, autoritetet e rendit, deklarojnë se po marrin shumë telefonata nga qytetarë, si pasojë e shpërthimit të zjarreve.

Policia e Kosovës më shumë po merret me zjarr-vëniet e qëllimshme dhe po i heton ato.

Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës jep më shumë hollësi:

“Kohëve të fundit, për shkak të temperaturave të larta, kemi pasur raste të shumta të raportuara të zjarreve, si në pyje me drunj, në fusha, shtëpi. Policia u përgjigjet thirrjeve të qytetarëve dhe del në vendin e ngjarjes, por puna kryesore bie nën domenin e zjarrfikësve”.

“Roli i policisë është për të kuptuar se a ka qenë zjarr-vënie apo zjarr nga natyra. Ka raste kur qytetarët neglizhentë e vënë zjarrin, dhe më pastaj kaplohet ajo pjesë nga zjarri. Nëse identifikohet personi, atëherë ngrihet kallëzim penal për të”.