Maqedoni: Punësimi sezonal, marketing për vota

Foto nga arkivi

Ekspertët e ekonomisë dhe partitë opozitare, paralajmërimet e Qeverisë së Maqedonisë, për 4 mijë punësime të reja të përkohshme, i kanë quajtur si marketing politik duke vlerësuar se bëhet fjalë për mbledhjen e pikëve politike para zgjedhjeve vendore, të cilat duhet të mbahen në mars të vitit të ardhshëm dhe jo për një zhvillim të mirëfilltë në planin ekonomik.

“Punësimi i këtyre personave në komuna, në bashkësitë e Maqedonisë ose në ndërmarrjet që do të subvencionohen për 6 muaj nga ana e Qeverisë, është thjesht vetëm marketing politik”.

“Ky marketing bëhet për t’i përfituar votat e personave të papunë që, zakonisht, ose abstenojnë në proceset zgjedhore, ose janë kundër politikës së Qeverisë cilado qoftë ajo, sepse nuk shohin perspektivë , ose benificion konkret për t’u punësuar”,
vlerëson Visar Ademi, ekspert i ekonomisë.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Financave, Nikolla Popovski, nga radhët e LSDM-së në opozitë, vlerëson se për hapjen e vendeve të reja të punës, paraprakisht Qeveria duhet të krijojë kushte për një rritje ekonomike minimum për 5 deri në 7 për qind, si dhe të mundësojë hapësirë të volitshme dhe të garantojë kapitalin e huaj.

“Askush nuk hap vende të reja pune vetëm e vetëm për të ndihmuar dikë. Punësimet bëhen në rast se punëdhënësi ka interes për të zgjeruar biznesin, pra ka treg për plasimin e prodhimeve ose shërbimeve të caktuara. Në rastin konkret, të gjithë vetëm do të shfrytëzojnë subvencionet e ofruara nga Qeveria. Në momentin e skadimit, të gjithë të angazhuarit do të largohen nga vendi i punës. Në këtë formë nuk ulet papunësia, e aq më pak stimulohet zhvillimi ekonomik”, thekson Popovski, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Shkup.

Ndërkaq, për Visar Ademin është e patolerueshme që me veprimet e veta në planin ekonomik, Qeveria të paraqitet si punëdhënësi kryesor.

“Mendoj se Qeveria duhet të jetë ‘ajo dora e fshehtë’, e cila do të krijojë ‘fer kushte në tregun e punës’, ai referi që do të mundësojë që sektori privat të ketë kapacitet që t’i punësojë të papunët që ky lloj punësimi të jetë afatgjatë, e jo të jetë përmes kontratave në vepër, me ç’rast pas gjashtë muajve këta persona sërish do të përfundojnë në entet sociale ose në rrugë”, thekson Ademi.

Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Aleksandar Gjorgjiev, gjatë fundjavës ka bërë të ditur se 1,000 personat që do të angazhohen në kopanitë e ndryshme të vendit, ose në kuadër të pushtetit vendor, për të kryer shërbime komunale, do të marrin pagë minimale, përkatësisht 4 400 denarë (rreth 70 euro).

Pas skadimit të këtij afati, të paktën 200 prej tyre do të kenë fatin të qëndrojnë për një vit si të punësuar, nëse punëdhënësit i preferojnë ata në bazë të shkathtësive, që do t’i dëshmojnë gjatë afatit 6 mujor, për aq kohë sa subvencionohen nga Qeveria e Maqedonisë.