Protestat që zvogëluan kontrollin e Kishës

Ilustrim

Gati një çerek shekulli para protestës famëkeqe të grupit “Pussy Riot” në Katedralen Shpëtuesi Krisht në Moskë, një demonstrim i ngjashëm ka ndodhur në Nju Jork.

Më 10 dhjetor, 1989, mijëra aktivistë janë tubuar jashtë Katedrales së Shën Patrikut – kishës më të fuqishme katolike në Shtetet e Bashkuara.

Nëse qëllimi i trazirave të “Pussy Riot” ishte t’i bënin thirrje Zotit për të flakur rigjallërimin e Vladimir Putinit, protestuesit e Nju Jorkut kishin tjetër qëllim në mendje: të protestonin kundër qëndrimit të Kishës Katolike për AIDS-in dhe të drejtat e abortit.

Jashtë Kishës së Shën Patrikut mbretëronte një atmosferë karnavali, me shumë nga protestuesit të veshur si palaço, peshkopë katolikë e madje edhe si Jezu Krishti.

Mesazhi i tyre ishte vërtet serioz: në kohën kur më shumë se 40,000 amerikanë kanë vdekur tashmë nga virusi, kundërshtimi i Kishës Katolike për prezervativë dënon dhjetëra mijëra të tjerë në të njëjtin fat.

Në mesin e protestuesve ishte Xhim Hubërd, regjisor dhe anëtar i grupit “Act Up”, i cili mbështeste homoseksualët, lesbikët dhe aktivistët për të drejtat e grave, që kishin organizuar protestën.

Ishte një ditë jashtëzakonisht e ftohtë. Por, megjithatë, ishin grumbulluar rreth 7,000 persona për të demonstruar kundër politikave të Kishës. Ishte një ditë emocionuese, kishte ndjenjën e një rëndësie të vërtetë, ne përpiqeshim të ndryshonim përgjigjen politike ndaj AIDS-it në Nju Jork”, thotë Hubërd.

“Act Up” ishte treguar efektiv në shumë protesta, por ajo në Kishën e Shën Patrikut ishte më e madhja dhe ndodhi në kohën kur Kisha Katolike konsiderohej se kishte kontroll të madh në politikën publike.

Kryepeshkopi Xhon Kardinal O’Konor, atëbotë autoriteti më i fuqishëm katolik në Shtetet e Bashkuara, ka zemëruar feministët dhe aktivistët për të drejtat e homoseksualëve, duke dënuar përdorimin e prezervativëve për të ndaluar HIV-in dhe duke sulmuar abortin e legalizuar.

Protesta nisi në kohën kur kardinali O’Konor mbante meshën e mëngjesit. Eduard Koh, në atë kohë kryetari i Nju Jorkut, ka qenë në mesin e besimtarëve. Të pranishme ishin edhe ekipe policore, të cilat ishin paralajmëruar për demonstratën.

Vetëm disa protestues nga “Act Up” u futën në katedrale, por ndikimi i tyre ishte dramatik. Ata nisën të brohorisnin ankesa kundër Kishës Katolike.

Famullitarët, në anën tjetër, recitonin lutjet e tyre, me shpresën për të larguar protestuesit, por ajo që ndodhi më pastaj ishte kaos, thotë Majkëll Petrelis, pjesëmarrës në kishë.

Kishit njerëz nga ‘Act Up’ dhe grupe feministe që qëndronin në këmbë, duke u përpjekur të lexojnë deklaratat e ankesës, kishit famullinë që lexonte lutje, kishit protestuesit e tjerë që qëndronin të shtrirë, kishit edhe priftërinj që shpërndanin deklarata të shkruara në mbështetje të Kishës dhe pastaj unë, që qëndroja mbi një stol. Unë fillimisht kam nisur të fishkëllej”, shpjegon Petrelis.

Një polic i ishte afruar Petrelisit, duke i kërkuar atij të ulej. Por, me largimin e tij, Petrelis ishte ngritur duke brohoritur: “Ndaloni të na vrisni”.

Pamjet tregonin besimtarë të hutuar dhe kardinalin O’Konor të ulur dhe të mërzitur, me dorën e tij në kokë.

Policia është futur me shpejtësi brenda dhe ka arrestuar demonstrues të “Act Up”. Njëri nga, duke dalë nga katedralja, bërtiste: “Ne po luftojmë edhe për të drejtat e juaja”.

Policia ka arrestuar një total prej 111 protestuesish brenda dhe jashtë kishës. Të gjithë janë përballur me akuza të vogla dhe janë liruar shpejt, pa gjyq.

Protesta ka bërë bujë ndërkombëtare dhe është dënuar nga zyrtarë të Qeverisë amerikane, përfshirë presidentin e atëhershëm, Xhorxh Bush.

Por, rreziku i “Act Up” është paguar. Në fillim të viteve 1990, amerikanë me HIV dhe AIDS kanë fituar mbrojtje federale nga diskriminimi, ndërsa Qeveria amerikane ka krijuar një zyrë për politikat e AIDS-it.

Kardinali O’Konor, i cili ka vdekur në vitin 2000, ka mbetur kundërshtar i agjendës së “Act Up”.

Por, kryepeshkopi i fuqishëm ka vizituar personalisht pacientë të AIDS-it në Nju Jork dhe spitalet katolike të qytetit kanë luajtur rol udhëheqës në sigurimin e kujdesit për ta.

Aktivistët e “Act Up” thonë se protesta në Kishën e Shën Patrikut ka ndryshuar mënyrën se si amerikanët kanë parë Kishën Katolike. Ajo nuk ka qenë më e paprekshme.
Me tri anëtare të “Pussy Riot”, të cilat përballen me shtatë vjet burgim nën akuzat për huliganizëm dhe mosrespektim të hapur të krishterimit, fuqia e Kishës Ortodokse Ruse tani për tani duket e madhe.(v.t.)