Të rinjtë tolerantë

Kisha dhe xhamia në Ferizaj - foto nga arkivi.

Shumë të rinj në Kosovë mendojnë se rinia është demokratike dhe tolerante në shumë aspekte. Sa i përket tolerancës fetare, ata mendojnë se ajo gjithmonë ka ekzistuar dhe Kosova ka qenë shembull i mirë në këtë drejtim.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë kemi marrë mendimet e disa të rinjve, sa mendojnë ata se në Kosovë ka tolerancë ndërfetare.



Vlora Haxhiu, studente e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës jep mendimin e saj, se sa ka tolerancë fetare:

“Mendoj që ka tolerancë ndërfetare në Kosovë dhe mendoj që gjithmonë ka pasur. Për shembull, mund ta vëreni ku në Kosovë, 95 për qind e popullatës janë myslimanë, në mes të kryeqytetit është katedralja ku mund të shihet nga të gjitha anët e vendit, dhe askujt s’i bën përshtypje. Ky është një fakt se ekziston toleranca ndërfetare në Kosovë”.

Ndërkaq, Genci nga Prishtina pohon se ka tolerancë fetare nga shumica e popullsisë në vend, duke e dalluar një pjesë të vogël të popullsisë.

“Mendoj që një grup i madh ka tolerancë, por kemi një grup të vogël që ka injorancë fetare. Mendoj që disa njerëz janë rritur të ekspozuar ndaj feve të ndryshme, derisa një pjesë tjetër janë rritur në vendet rurale më të izoluar, janë më të irituar nga kryqi e simbolet fetare i lidhin me ato nacionale”, shprehet Genci.

Besnik Gashi, ekonomist, 26-vjeçar jep mendimin e tij duke bërë një krahasim mes njerëzve lidhur me atë se sa në fakt ekziston toleranca ndërfetare në Kosovë.

“Atyre njerëzve që u ka rastisur të dalin jashtë vendit, dhe kanë pasur shoqëri të ndërsjellë me njerëz të feve të ndryshme, mund të kenë tolerancë, derisa të tjerë që kanë qenë më të izoluar i japin më shumë rëndësi fesë dhe mendoj se nuk janë aq tolerantë”, thotë Besniku.

Donika Bajgora thotë se vërehet një dallim nga koha e pasluftës kur të rinjtë kanë qenë edhe më tolerantë sesa që janë tani.

“Mendoj që para luftës ka pasur më shumë tolerancë fetare, duke u nisur nga fakti se festat fetare janë festuar pavarësisht se cilës fe i përket. Tash po më duket që ka më pak tolerancë”, thekson Donika.

Ndërkaq, Arbani, nga Prishtina, 20 vjeç, jep mendimin e tij lidhur me këtë çështje:

“Unë mendoj se ka tolerancë ndërfetare. Pse mendoj që po , sepse e kemi një rini demokrate”.

Por, ka edhe të tillë që vetes ia shtrojnë disa pyetje lidhur me tolerancën ndërfetare. Ai është Samiu nga Prishtina, student i Fakultetit të Teologjisë.

“Mendoj se ka tolerancë fetare në Kosovë. 96 për qind e popullatës sipas statistikave të fundit, janë deklaruar se i përkasin besimit islam. Por, mua më intereson a do të ekzistonte një tolerancë e tillë sikur të ishte e kundërta? Po të ishte Kosova me 96 për qind të besimeve tjera e 4 për qind myslimanë?”, përgjigjet duke pyetur Samiu.

Derisa Nora Kadriu, regjisore, deklaron se besimi te njerëzit është shumë individual, andaj secili duhet të jetë tolerant sa i përket kësaj çështjeje.

“Mendoj që ka tolerancë fetare, sidomos te të rinjtë. Më shumë i lidh shoqëria, nuk bëjnë dallime fetare. Unë kam shumë shoqe katolike dhe kaloj shumë mirë, edhe pse unë i përkas fesë islame. Feja është shumë personale te secili njeri dhe tekefundit ne jemi të gjithë shqiptarë në Kosovë”, shprehet Nora.

Edhe arkitektja Vesa Nuhiu shprehet tolerante në këtë aspekt, por ja se çfarë mendon për popullin e Kosovës në përgjithësi:

"Unë jam tolerante, unë e kam besimin tim dhe mendoj që është çështje personale. Nuk ka nevojë të imponohet. Përndryshe, sa i përket popullatës, në përgjithësi, mendoj se ne si popull jemi shumë neglizhent ndaj pakënaqësive të jetës, andaj si popull nuk e di a jemi tolerantë”.

Sidoqoftë, Raporti për Liritë Fetare në botë, për vitin 2011, i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka analizuar edhe gjendjen në Kosovë, ka vënë në theks edhe ankesat e liderëve fetarë për “mungesën e një mekanizmi që grupet fetare të regjistrohen dhe të fitojnë një status legal”.