SHBA: Puthje apo sandviç?

Të thekur, të lëngshëm dhe kundërthënës-tri fjalë për të përshkruar sandviçët në Chick-fil-A.

Fjalën e fundit të këtij përshkrimi të vendosur në meny, kompania amerikane e ushqimit të shpejtë e fitoi në muajin korrik kur presidenti i saj kristian, Den Kethi, u deklarua publikisht kundër martesave të gjinisë së njëjtë. Ai i tregoi The Baptist Press, një mediumi fetar online, se kompania e tij mbështet “definimin biblik për njësinë familjare”.

Shumë shpejt u bë e qartë se Kethi kishte dhënë para për pikëpamjen e tij. Equality Matters, një grup për të drejtat e homoseksualëve, bëri publik të dhënat për taksat publike për të treguar se restauranti dhe fondacioni i tij bëmirës u kishin dhënë miliona dollarë organizatave anti-homoseksuale, përfshirë diku 2 milionë dollarë në vitin 2010.

Chick-fil-A

Në mediat sociale, polemikat u ndezën sikur zjarrit t’i ishte hedhur vaj. Aktivistët për të drejtat e homoseksualëve kërkuan një bojkot ndaj më shumë se një mijë e 600 restauranteve të kompanisë, të cilat janë të mbyllura të gjitha të dielave e që kryesisht gjenden në jugun e Shteteve të Bashkuara të banuar kryesisht me kristian. Mbështetësit, ndërkaq, bënin thirrje për festa të Chick-fil-A.

Por, sociologët që po e përcjellin debatin thonë se ai ka të bëjë më shumë se sa me qëndrimin e një kompanie amerikane të ushqimit të shpejtë. Ata thonë se debati është fuqizuar duke vënë në qendër shumë çështje të tjera si ato politike, për të drejtat e njeriut dhe ato fetare në Shtetet e Bashkuara.

Timëthi MekKarthi është drejtor në Programin për Seksualizëm, Gini dhe të Drejtat e Njeriut në Shkollën Qeveritare Kennedy të Universitetit të Harvardit. Për një kohë të gjatë MekKarthi ka analizuar protestat sociale në Amerikë.

Kombinimi i dy gjërave-polarizimit politik që e shihni aktualisht në Shtetet e Bashkuara dhe betejës mbi çështjen e së drejtës për martesat e gjinisë së njëjtë-janë duke u shkrirë në protestën e fundit të Chik-fil-A”, tha ai.

Një studim i bërë në muajin qershor nga Qendra për Hulumtime Kryesore vuri në pah se amerikanët janë sot më të polarizuar në linjat politike se sa që ishin ndonjëherë përgjatë 25 viteve të fundit. Autori i studimit deklaroi se “Partia tani është bërë ndarja e vetme më e madhe në shoqërinë amerikane- me një zbrazëtirë në vlera ndërmjet Republikanëve dhe Demokratëve- se sa ndarjet rreth gjinisë, moshës, racës ose ato klasore”.

Vlerat sociale janë në qendër të kësaj ndarjeje, sikurse që është debati mbi martesat e gjinisë së njëjtë. Tetë shtete amerikane, në mesin e të cilave edhe Uashington D.C. lejojnë martesat ndërmjet homoseksualëve, përderisa legjislacioni në 30 shtete i kufizon martesat duke lejuar vetëm ato të heteroseksualëve.

Në një intervistë zhvilluar në muajin maj, presidenti amerikan, Barak Obama, shfaqi mbështetjen për martesat e gjinisë së njëjtë dhe duke e bërë këtë, theksoi dallimin nga kandidati republikan për president, Mit Romni, i cili e mbështet ndalimin kushtetues për këtë çështje. Të dytë do të përballen në muajin nëntor.

Në muajin e kaluar, ish-kandidatët republikan Majk Hakëbi dhe Rik Santorum, u bënin thirrje mbështetësve të dërgojnë një mesazh mbi “vlerat tradicionale” duke e mbështetur qëndrimin e Chick-fil-A.

Liderja demokrate e Dhomës Përfaqësuese, Nenci Peolsi, publikoi në rrjetin social Twitter “Sa për informatë, unë preferoj Kentucky Fried Chicken.”

Dejvid Majer, një ekspert i lëvizjeve sociale në Universitetin e Kalifornisë në Irvajn, thotë se polemika është bërë “një mundësi e mirë për njerëzit e të dyja anëve për të bërë diçka-të paktën në prag të zgjedhjeve”.

Dhe me të vërtetë, turmat iu drejtuan Chick-fil-A në të gjithë vendin më 1 gusht me moton “Dita e njohjes së vlerave të Chick-fil-A”. Kompania njoftoi se ka arritur shitje në nivel rekordi.

Aktivistët për të drejtat e homoseksualëve, ndërkaq, bënë thirrje për një “kiss-in” duke u kërkuar çifteve të gjinisë së njëjtë të puthen publikisht para njësive të Chik-fil-A , këtë të premte.

Ken Çepmen, një homoseksual nga Florida, tha se do t’u përgjigjet thirrjeve të këtyre aktivistëve.

Mendoj se Chick-fil-A ka të drejtë ta mbajë çfarëdo qëndrimi. Ata kanë të drejtën ta bëjnë publik qëndrimin e tyre. Por, kam përshtypjen se ata e kanë tejkaluar kufirin kur u kanë dhënë të holla organizatave që mohojnë të drejtat e mia”, tha ai.(e.p.)