EULEX: S'ka mbetje mortore në Zhilivodë

Zhilivodë, 31 gusht 2010

Pas dy vitesh punë intensive, hulumtimet në lokacionin Zhilivodë të Vushtrrisë, kanë përgunduar dhe autoritetet mjekoligjore nuk kanë gjetur mbetje mortore njerëzish në këtë lokacion, ka njoftuar misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX.

Hulumtimet në këtë lokacioni kishin nisur me urdhërin e gjykatës.

Në një komunikatë për opinion, ky mision ka vlerësuar se "hapësira që ishte lëndë e interesimit dhe e cila ishte përcaktuar në urdhrin e gjykatës përfshinte rreth shtatë mijë metra katrorë dhe përbëhej prej dymbëdhjetë minierave të thëngjillit të lidhura me tunele".

"Ato janë gërmuar përgjatë njëzet e katër javëve të punës më 2011 dhe 2012. Për shkak të karakteristikave të lokacionit është dashur që të hulumtohet e tërë zona. Aty nuk u gjetën mbetje mortore të njerëzve,” tha Krassimir Nikolov, ushtrues i detyrës së bashkëkryesuesit (EULEX), në Departamentin e Mjekësisë Ligjore.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se "zjarri i fundit që e përfshiu këtë lokacion në Zhilivodë nuk ka mundur ta shkatërrojë ndonjë dëshmi të mundshme, meqë zjarri ishte vetëm sipërfaqësor".

Në anën tjetër, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, citohet të ketë thënë nëpërmjet një komunikate se "gjatë tërë kohës së realizimit të këtij projekti ka pasur sfida të ndryshme, disa prej të cilave erdhën nga natyra dhe disa të tjera të natyrës teknike dhe faktorit njeri".

"Më duhet të them se operacioni i gërmimit vlerësues të këtij lokacioni është shembull i një procesi transparent i kërkimit të mbetjeve mortore në rajon. Kjo është vizita e katërt e përbashkët në këtë lokacion. Kur kemi parasysh këtë fakt, duket tërësisht i pakuptim, absurd dhe i panevojshëm politizimi i skajshëm i rënies së zjarrit në këtë lokacion para do kohe", citohet të ketë thënë Gjetaj.

"Ne jemi të gatshëm të angazhojmë të gjitha resurset në dispozicion me qëllim të zbardhjes sa më të shpejtë të fatit të të gjithë personave të zhdukur. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe shpresojmë që kjo gatishmëri e jona dhe kjo përpjekje e jashtëzakonshme në këtë lokacion të reflektojë me reciprocitet nga pala e Beogradit. Ne insistojmë që sa më shpejtë të fillojnë aktivitetet gërmuese në rajonin e Rashkës", theksoi ai.

Gërmimet në Zhilivodë kanë nisur saktësisht më 31 gusht të vitit 2010, nën dyshimet se në këtë lokacion ekziston një varr masiv. (a.v.)